Dritan Goxhaj vazhdon të mbetet në burg. Gjykata e Tiranës, nuk e ka ndryshuar masën e sigurisë në kushtet kur nuk është plotësuar afati 40 ditor që nga burgosja e tij më 31 korrik.
Avokati i tij Bashkim Nikolla kërkoi lirimin e menjëhershëm të Goxhajt për shkak se sipas tij ka kaluar afati 40-ditor.
Gjykata e Tiranës e rrëzoi kërkesën duke arsyetuar se është e pambështetur në ligj e në prova. Ndërkohë avokati pretendon se nuk ka ardhur kërkesa për ekstradim nga shteti kërkues.
“Me sa duket drejtësia jonë nuk e ka vrarë ende frika”, deklaroi avokati Nikolla.
“Nuk ka një kërkesë në reciprocitet që të ketë ardhur që të thotë kërkesë për ekstradim”, shtoi ai.
“Kërkesa jonë për ndërrimin e gjyqtares është hedhur poshtë si e pabazë”, informoi avokati.
Vetë Goxhaj ka folur në seancës, sipas avokatit.
“E gjitha kjo e ka emrin pengmarrje, jo ekstradim, ka deklaruar Goxhaj në seancë”, citoi Nkolla.
Goxhaj akuzohet për kryerjen e veprave penale “Frikësimi gjatë procedurës penale” dhe “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, parashikuar nga legjislacioni penal i Republikës së Kosovës.