Drejtuesi politik i Partisë Demokratike për Tiranën, Belind Këlliçi ka deklaruar sot se protesta e thirrur nga PD më 23 dhjetor do të ketë disa risi krahas protestave të kaluara.
I ftuar në emisionin “Log” në News 24, Këlliçi theksoi se një nga ndryshimet më të mëdha do të jetë pjesëmarrja fizike e kreut të PD, Sali Berisha i cili u lirua disa javë më parë nga arresti shtëpiak.
Këlliçi bëri të ditur se protesta do të nisë në orën 17:00 dhe do të bllokohen disa nga rrugët kryesore të kryeqytetit. Ai specifikoi se protesta do të jetë e lokalizuar në të paktën pesë vende të ndryshme të Tiranës, duke paralajmëruar mundësinë e përplasjes me forcat e policisë, siç ka ndodhur edhe në protesta të mëparshme.
“Protesta e 23 dhjetorit do nisë në orën 17:00, do të ketë bllokim të disa akseve kryesore në kryeqytet. Tirana tashmë është e paralizuar nga trafiku çdo mbrëmje. Risi do të ketë prezenca e zotit Berisha, do të jetë hera e parë që ai merr pjesë në protestë pas arrestit shtëpiak për 333 ditë …thënë këtë gjasat janë që sërish të kemi një skenar me përballje dhe përplasje.
O do ulë qepenin SPAK, ose zyra e kryetarit të bashkisë Tiranë do ulë qepenin. Është një protestë që do organizohet në të paktën 5 lokacione, unë do jem i vendosur te bashkia e Tiranës. Do kemi pak a shumë një skenar të ngjashëm me protestën e nëntorit.” – tha Këlliçi.