Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani vlerëson shërbimet e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, duke thënë se ka pësuar një transformim total me cilësi të mirë, shërbim të shpejtë dhe informativ.
“Ki inatin (mbaje madje), por jepi hakun”, shkruan Manjani teksa rrëfen edhe eksperiencën e tij personale duke thënë se ka kryer punë shumë shpejt në tre raste, pa qenë nevoja as për radhë dhe as për mik.
Komenti i plotë i Manjanit:
Ki inatin po jepi hakun.
DPSHTRR, ka komplet një tjetër shërbim. Cilësisht të mirë, të shpejtë dhe informativ. Transformim total me thënë të drejtën.
Më ka qëlluar të marr shërbim 3 herë rrjesht këto kohët e fundit në sportel dhe ka qenë i shpejtë, cilësor dhe goxha informues. As radhë, as mik, as telefon, asgjë. Pak minuta në sportel të pastër dhe “u kry”.
Ky lloj shërbimi meriton respekt.
Ky lloj shërbimi tregon edhe njëherë se nuk ka pse të jetë privat shërbimi publik. As me koncension e as me P(ërr)P(ërr)P(ërr).
Fjala vjen pse nuk është në të njëjtin nivel shërbimi Kadastra?!
Po shërbimet mjeksore te privati pse nuk janë aq të mira dhe cilësore?!
Thënë kjo, që është një e vërtetë e jetuar, nuk do me thënë se kemi lavdëruar qeverinë.
Përkundrazi, shërbime të tilla janë prova që qeveria ja ka futur kot e më kot duke i dhënë privatit shërbime publike.
Natyrisht shërbimi cilësisht i përmirsuar në DPSHTRR,nuk e bën nivelin demokratik, politik e të drejtësisë në Shqipëri më të mirë, të tërësi.
Por gjëja e mirë duhet pranuar.
Duhet treguar respekt për punën, duke i thënë tjetrit “puna e mbarë”.
E përsëris:
ki inatin (mbaje madje), por jepi hakun!