Koha e humbur e Enkelejd Alibeajt

0
493
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Nga Roland Qafoku

Partia më e re në koloritin politik në Shqipëri pritet të jetë ajo që do drejtohet nga Enkelejd Alibeaj. Bashkë me të, në këtë formacion politik do jenë edhe disa figura të rëndësishme që e kanë mbështetur si Roland Bejko, Edvin Kulluri, Rezart Kthupi e të tjerë. Kjo është një parti e dalë nga fraksioni i dalë edhe ai nga partia fraksion e Lulzim Bashës që u shkëput nga Partia Demokratike për historinë e famshme të vulës dhe logos së partisë. Jemi nëntë muaj përpara zgjedhjeve dhe duket se turravrapi i disa figurave politike tepër aktive të dekadës së fundit për t’u pozicionuar është më i madh se kurrë. Mes tyre ndodhet edhe Alibeaj me këtë grup. Të gjithë ata që e çmojnë apo vlerësojnë Enkelejd Alibeajn e quajë këtë si një lëvizje të moralshme, të drejtë dhe të mbështetur mbi parimet se ata kanë qenë, janë dhe do mbeten kundërshtarë të përhershëm të Sali Berishës dhe se në programin që po hartohet do kenë për bazë parimet demokratike dhe liberale. E gjitha duket si një lëvizje antiberishiste për gjithë atë që ndodhi në dy vitet e fundit dhe kaq.

Por nëse e analizon të gjithë veprimtarinë politike të Enkelejd Alibeajt pikërisht gjatë dy viteve të fundit mund të nxjerrësh konkluzionin se gjithçka që ka bërë dhe gjithçka ai që ka investuar ka qenë e gjitha një kohë e humbur. Alibeaj doli kundërshtar i hapur ndaj Sali Berishës dhe të gjitha çfarë pati ia tha në sy atij publikisht dhe këtu duhet ta vlerësosh për këtë që ka bërë dhe thënë duke treguar karakter, një cilësi në zhdukje në atë parti. Ajo që mbetet e dyshimtë është pyetja e madhe çfarë kërkonte të arrinte Alibeaj si kryetar i komandur i Partisë Demokratike me vulë, me një Lulzim Basha në pritje për tu kthyer në krye të saj dhe që në fakt ashtu ndodhi? Eshtë e vërtetë se Alibeaj i qendroi konsekuent qendrimeve të veta dhe nuk bëri asnjëherë kompromis me idetë dhe parimet e tij. Por në dy vjet ai nuk prodhoi atë që duhet të prodhonte politikën e lartë. Partia Demokratike me vulë mbeti pa vulë dhe numri i mbështetësve të saj sot është qesharak. Thjesht Enkelejd Alibeaj i mbajti vendin rezervë dhe i ruajti postin e kryetarit, Lulzim Bashës. I bie që me navitet Enkelejed Alibeaj besonte fort se një ditë Lulzim Basha do kthehej dhe se ky kthim do të thoshte trimuf parimesh dhe ky trimuf do ishte i tillë që do të na kujtonte triumfin dhe kthimin e Ahmet Zogut në Tiranë hipur mbi kalë atë 25 dhjetor të vitit 1924 teksa përzinte Fan Nolin me të njëjtën mënyrë siç e përzuri ai.

Ky është një zhgënjim, mbi bazën e një zhgënjimi. Si mund të shpresonte Enkelejd Alibeaj që Lulzim Basha do ta zgjidhte atë situatë absurde kur ai nuk kishte zgjidhur asnjë situatë që nga viti 2004 kur u fut në politikë dhe sot e kësaj dite të gjithë e dinë se Berisha e futi dhe Berisha e mbajtit në politikë? Si mund të besonte Alibeaj që Lulzim Basha që nuk kishte kryer misionin e tij në krye të PD për më shumë se 8 vjet, të mund ta bënte këtë në pak muaj? Si mund të besonte Enkelejd Alibeaj që Lulim Basha të ndeshej ballë për ballë me Sali Berishën dhe të fitonte një betejë parimore në një konflikt më i madhi që është zhvilluar ndonjëherë në këtë parti që nga themelimi i saj? Si mund të besonte Alibeaj që Lulzim Basha do zbatonte parimet demokratike në PD duke u pozicionuar larg klientelizmit dhe larg pandershmërisë, kur ai nuk i kishte zbatuar ato në më shumë se 8 vjet në krye të saj? Si mund të besonte Alibeaj te Lulzim Basha se ai do ndërmerrte aksionin politik në bazë për të ringritur Partinë Demokratike kur drejtimin e asaj partie e mori si dhuratë dhe ai nuk e bërë atë për më shumë se 8 vjet që drejtoi PD-në? E pra, e gjithë kjo që Enkelejd Alibeaj bëri për një vit në detyrën i komanduar si kryetar i PD-së me vulë ishte vërtetë një betejë parimore por ai ishte i vetmuar dhe i braktisur pikërisht nga Lulzim Basha. Ndonëse me fjalë ishte me të, me vepra askush nuk e di se me kë ishte. Fushata për bashkinë e Tiranës ishte një braktisje totale ndaj kandidatit Roland Bejko dhe një provë e fortë se përpara besnikërisë dhe parimeve Lulzim Basha vendos interesin.

Rrjedhimisht, e gjithë ajo kohë ka qenë një kohë e humbur. Dhe kjo kohë e humbur është shumë e vështirë të rikuperohet vetëm për 9 muaj në dispozicion. Ajo që do ishte më e mira gjatë kësaj kohe duhet të kishte qenë një lëvizje brenda PD-së së Rithemelimit. Zhvillimi i betejës brenda atij grupimi do kishte më shumë vlerë se se ajo që bëri “nën udhëheqjen e Lulzim Bashës”. Sigurisht ajo betejë do ishte më e vështira. Ai dhe ata që e mbështesin për parimet që duhen publikisht do ndjeheshin të humbur, të shpërfillur e të anatemuar. Po, kjo është e vërtetë. Por në atë mënyrë nuk do kishin humbur kohë. Kur të krijoheshin rrethana të reja Enkelejd Alibeaj dhe ata që e mbështesin të do kishin të drejtën parimore për të kryesuar një fraksion brenda partisë dhe nga fraksioni mund të motivonte shumë të tjerë që ishin në një mendim me të. Dhe, më mirë një fraksion brenda PD-së se sa një betejë nën udhëheqjen e Lulzim Bashës kundër Sali Berishës. Kjo ishte vetëm koha e humbur e Enkelejd Alibeajt. Nëntë muaj janë të pamjaftueshëm për ti rikuperuar.

Zjarr Tv Ad