Fiks Fare solli skandalin e radhës, atë të një tjetër rasti ryshfeti. Mjaftojnë 3000 lekë të marrësh kolaudimin pa e vrarë mendjen nëse është apo jo në parametrat e duhura mjeti.
Kjo është e vetmja mënyrë sesi e kalojnë automjetet në pikën e kontrollit teknik në Qendrën e Kontrollit Teknik të automjeteve në Korçë.
Ka qenë pikërisht denoncimi i drejtuesve të automjeteve që ka bërë që gazetarët e Fiks Fare të nisnin investigimin në Korçë.
Fillimisht gazetarët u kontaktuan nga denoncuesi Bashkim Myftaraj, i cili tregon se më datën 14 dhjetor 2018, kishte dërguar në pikën e Kontrollit të kolaudimit të mjeteve në Korçë, mjetin e tij, për kolaudim.
“Me të paguar taksat, kam futur makinën në pikën e kontrollit të mjeteve për kolaudim. Pas kontrollit sipas inspektorit të kësaj pike, mjeti im nuk kaloi, pasi kishte një defekt në tamburen e krahut të majtë të gomës së pasme” tregon Bashkimi. Më këtë përgjigje ai i është drejtuar një servisi ku kishte riparuar dhe kontrolluar mjetin para se ta çonte në kolaudim.
“Mekaniku i cili më riparoi makinën e hapi sërish tamburin e makinës dhe e pa, pa riparuar asgjë në të, pasi sipas tij nuk kishte se çfarë t’i riparonte” tregoi qytetari per Fiks fare.
Ai gjithashtu u pohon gazetarëve të Fiks Fare se nga biseda të shumta që kishte bërë me të tjerë drejtues mjetesh, kishte mësuar se e vetmja mënyrë për të marrë kolaudimin ishte ryshfeti prej 3000 lekësh.
Ato duhet t’i linte në kroskotin e makinës së bashku me dokumentacionin e makinës. Dhe ditën që Bashkim Myrtaj u paraqit për t’u rifutur në kolaudim, para se mjetin ta merrte kontrollori, ai vendosi në tavllën e makinës 3 000 lekë.
Kontrollori që fut makinën për kontroll teknik është po i njëjti person që e kishte ngelur herën e parë.
Ai me të hyrë në mjet, ka marrë letrat dhe së bashku me to edhe 3000 lekët.
Pas kësaj kontrollori i pikës së kolaudimit ka marrë dokumentacionin e mjetit dhe taksat e i ka dërguar tek zyra e tij duke e nënshkruar pastaj se ky mjet kalon kontrollin teknik.