Koalicioni “Bashkë Fitojmë” përmes një kërkese të depozituar në KQZ kërkon regjistrimin në zgjedhjet që të mbahen më 24 shtator.
Emrit Vata është kandidati i koalicionit “Bashë Fitojmë” i cili u zgjodh gjatë “Primareve”. Vata do të garojë për Bashkinë e Kukësit kundër kandidatit të Partisë Socialiste, Albert Halilajt.
Më herët Komisioni Qendror i Zgjedhjeve rrëzoi Rithemelimin e Sali Berishës dhe vendosi regjistrimin e Partisë Demokratike zyrtare të drejtuar nga Lulzim Basha për përsëritjen e zgjedhjeve në Kukës.
“Basha ka legjitimitetin të paraqesë kërkesën për regjistrim në zgjedhje si subjekt zgjedhor. Tej çdo diskutimi, KQZ si organ administrativ e ka të pamundur nga pikëpamja ligjore që të bëjë një shqyrtim të të gjithë procesit vendimmarrës në një parti politike. Për shkak të ligjit KQZ është e detyruar ta shqyrtojë kërkesën për regjistrim thjesht dhe vetëm në aspektin formal, duke vlerësuar të gjithë dokumentacionin. E rëndësishme është dokumenti që vjen nga Gjykata e Tiranës. Është fakt i pasqyruar në një dokument zyrtar që kryetari i PD është z. Lulzim Basha dhe ky person ka të drejtën për të paraqitur kërkesën për të regjistruar PD-në si subjekt zgjedhor”, deklaroi Celibashi.
Edhe kësaj here, njëjtë si në zgjedhjet e 14 Majit, Berisha po futet përmes një koalicioni me aleatin e tij, Ilir Metën. Kujtojmë se zgjedhjet në Kukës do të përsëriten pasi Safet Gjici dha dorëheqje pas videoskandalit në zyrën e tij.