Krijimi i një zinxhiri sigurie në shkolla, barrierë e fortë kundër fenomeneve negative

0
450
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Eksluzive/Intervistë me z.Gentjan Mullaj, zëdhënës i Policisë së Shtetit

Siguria në shkollë është një ndër prioritetet kryesore të punës së strukturave të Policisë së Shtetit.

Strukturat e Policisë së Shtetit janë tërësisht të angazhuara dhe po vijojnë punën në bashkëpunim dhe me aktorët e tjerë përgjegjës me qëllim, parandalimin e fenomeneve negative, si brenda ashtu edhe jashtë mjediseve të shkollës. Lufta kundër dukurive të tilla, si episode të dhunës, përdorimi i drogave dhe substancave abuzive, dukuria e bulizmit, siguria fizike në shkolla etj., janë prioritet i punonjësve të policisë të angazhuar për mbykqyrjen e sigurisë në shkolla, kjo në bashkëpunim me stafet pedagogjike, dhe së fundmi edhe me oficerët e sigurisë në shkolla, që janë një risi në këtë drejtim.

Në një intervistë ekskluzive për Zjarr TV zëdhënës i Policisë së Shtetit z. Gentjan Mullaj shprehet:

“Oficerët e policisë në shkolla është një iniciativë e përbashkët midis Ministrisë së Arsimit dhe Ministrisë së Brendshme, nisur disa vite më parë. Një nismë e domosdoshme për rritjen e sigurisë së nxënësve në shkolla, për parandalimin e depërtimeve të fenomeneve negative në shkolla. Oficeri i Sigurisë është ura lidhëse mes Policisë së Shtetit dhe institucioneve arsimore.

Policia e Shtetit ka angazhuar strukturat e qarkullimit rrugor, patrullat e përgjithshme dhe Specialistët e Policisë në zona, për të monitoruar , parandaluar, evidentuar dhe ndëshkuar çdo tentativë për cënim të sigurisë së nxënësve, të ecurisë sa më qetë të procesit mësimor, të sigurisë rrugore dhe të goditjes së fenomeve negative që i vërtiten institucioneve shkollore me qëllim për të bërë pre të tyre nxënësit.

Krahas këtyre masave, u pa e arsyeshme që në shkollat e mëdha 9-vjeçare dhe të mesme të vendoseshin oficerë të sigurisë në shkolla, të cilët varen nga Ministria e Arsimit. Roli i Oficerëve të Sigurisë është thelbësor, pasi ata janë në kontakt të përhershëm me nxënësit, me realitetin, dhe ndjekin në dinamikë çdo problematikë sado e vogël që mund të shfaqet në ambjentet e brendshme apo të jashtme të shkollës.

Parë në këtë këndvështrim Policia e Shtetit e ka prioritare bashkëpunimin me Oficerët e Policisë në shkolla për arsye se ata janë një hallkë shumë e rëndësishme e lidhjes sonë me shkollën duke bërë që Policia e Shtetit të njohë më mirë situatën brenda institucioneve arsimore dhe të bashkërendojë veprimet qoftë me drejtoritë e shkollave, me oficerët e sigurisë, me qeveritë e nxënësve dhe bordin e prindërve me qëllim që në tempullin e dijes të mbretërojë libri dhe jo fenomenet negative.

A ka oficerë të sigurisë në çdo shkollë?

Para disa ditësh janë trajnuar dhe certifikuar mbi 100 oficerë të rinj të sigurisë që do t’i bashkohen 150 oficerëve të tjerë të cilët kanë filluar punë më parë, pra, sic shikohet po ecet më ritëm për të mbuluar të gjitha shkollat me oficerë sigurie dhe kjo është gjëja e duhur për të rritur parametrat e sigurisë brenda institucioneve arsimore.

Oficerët e sigurisë tashmë nuk trajtohen si në fillesat e tyre, thjeshtë në rolin e ruajtësit të derës që të mos hyjnin personat e jashtëm, ata tashmë janë të kompletuar me trajnimet e nevojshme, me procedurat standarte të punës, ku Ministria e Arsimit në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme kanë trajnuar në Akademinë e Sigurisë të gjithë Oficerët e Sigurisë. Tashmë punonjësit e Policisë së Shtetit kanë një aleat të aftë e të përgatitur në shkolla, që me profesionalizëm menaxhon çdo konflikt sado i vogël apo me përmasë qoftë, duke koordinuar veprimet me stafet drejtuese të shkollave dhe padiskutim me specialistët e policisë në zona, me patrullat e përgjithshme , me specialistët e policimit në komunitet, pra me gjithë Policinë e Shtetit, e cila është tërësisht e angazhuar për rritjen e parametarve të sigurisë në rrugët afër shkollave, në ambjentet e jashtme dhe të brendshme të tyre, pasi kështu i bëjmë një shërbim të mirë vendit, duke u krijuar kushtet optimale nxënësve që të shkollohen.

Si e vlerësoni bashkëpunimin deri më tani, duke iu referuar rasteve të parandalimit të ngjarjeve?

Bashkëpunimi me Oficerët e Sigurisë dhe Policisë së Shtetit është në nivele të kënaqshme, është një bashkëpunim i frytshëm në interes të nxënësve. Punonjësit e Policisë që mbulojnë shkollat mbajnë kontakte të përditshme me Oficëret e Sigurisë, zhvillojnë analiza javore e mujore duke bërë pjesë edhe drejtoritë e shkollave, qeveritë e nxënësve dhe bordet e prindërve me qëllim shqyrtmin në kohë të çdo problematike sado e vogël që mund të jetë shfaqur si dhe trajtimin e saj me rrugëzgjidhje në interes të vijimësisë së nëxënësve drejt rrugës së dijes.

Një rol thelbësor luajnë edhe qeveritë e nxënësve, senatorët e klasave dhe presidentët e qeverisë së nxënësve janë shumë aktivë, madje sheshojë dhe eleminojnë që në embrion zënkat mes adoleshëntëve duke mos lejuar përshkallzimin e tyre, apo sinjalizojnë dhe mbajnë qëndrim ndaj ndodnjë nxënësi të veçantë që krijon shqetësim për shumicën por edhe vetës së tij duke mos e çuar në gjurmët e shumicës .

Si vepron oficeri i sigurisë në shkolla kur konstatohen konflikte?

Në rastet kur kanë konstatuar konflikte ata kanë njoftuar menjëherë, drejtorinë e shkollës dhe Inspektorin e Policisë së zonës, në raste më të rënda është njoftuar edhe Patrulla e Përgjithshme 112, më pas problematika është trajtuar me qeverinë e nxënësve, me mësuesit koordinatorë, me bordin e prindërve ku të gjithë këta faktorë bëhen bashkë për t’i dhënë zgjidhje situatave.

E them me siguri se tashmë shkollat e kanë një zinxhir sigurie shumë të plotë dhe efikas, hallkat e të cilit funksionojnë dhe veprojnë në mënyrë të atillë duke u bërë barrierë e fortë ndaj çdo fenomeni negativ, konflikti apo problematike të adoleshentëve në shkolla”

Intervistoi: Fationa Molla

Zjarr Tv Ad