Kur të nderojnë edhe ata që nuk të duan

0
962
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

(Në vend të një urimi për 26-vjetorin e gazetës RD)

Nga Astrit Patozi

Ka shumë njerëz në Shqipëri, që jo vetëm nuk e lexojnë, por as që duan  të përmendet fare emri i RD-së. Arsyet, përgjithësisht, nuk janë profesionale dhe nuk kanë të bëjnë pothuajse hiç me nivelin e gazetës. Ato janë qartësisht politike.

Duke e identifikuar me Partinë Demokratike, kundërshtarët e saj e kanë shumë të lehtë ta përjashtojnë dhe refuzojnë, por, për fat të mirë, jo ta nxjerrin nga qarkullimi. Dhe kjo, sipas meje, është një taksë që nuk ka pse ta bëjë të ndjehet keq gazetën, e cila me daljen e saj të parë më 5 janar 1991, shënoi njëkohësisht edhe lindjen e shtypit të lirë në Shqipëri.

Mendoj se kjo para së gjithash është një mënyrë nderimi ndaj një date të shënuar, sepse RD-ja, pavarësisht historisë së saj të gjatë dhe plot zigzake, u krijua si një nevojë e fortë e shoqërisë shqiptare që e vërteta të mos ishte ekskluzivitet i një pale. Dhe pavarësisht debatit që mund të hajë, sot mund të pranohet pa shumë mëdyshje, se të paktën ai qëllim është arritur.

Megjithë sulmet e egra nga qielli, nga ajri dhe nga toka, qeveritë e kanë pasur deri tani të pamundur t’i burgosin mendimin dhe idetë e kundërta. Sado të jetë tkurrur prej goditjeve të forta hapësira e lirisë, është gjendur gjithmonë një oaz apo një dritare, ku e vërteta, jo vetëm të thuhet, por edhe të shpërthejë.

Betejat e dështuara të kryeministrit me shtypin, që nga dita kur erdhi në pushtet, dhe sidomos lufta frontale e tij me portalet e “kazanit”  tregojnë se kohëra të vështira kanë ardhur për ata që kanë zgjedhur të përcjellin zërin e opozitës. Jo thjesht të Partisë Demokratike, atë të gjithkujt që është i revoltuar dhe nuk e pranon këtë qeveri. Por është jashtë cdo dyshimi, gjithashtu, se mbijetesa e lirisë së shtypit dhe triumfi i saj është i garantuar.

Ndaj mendoj se në gjithë këto vite tranzicioni të vështirë më cdo 5 janar “Rilindja Demokratike” vlerësohet dhe respektohet edhe nga ata që nuk e duan. Dhe kjo do të vazhdojë të bëhet pafundësisht, aq kohë sa të ekzistojë arsyeja pse RD u themelua, nevoja për të pranuar dhe dëgjuar kundërshtarin.

Për shkak se kalova një kohë shumë me të, unë natyrisht kam shumë arsye për të qenë nostalgjik ndaj gazetës, sic jam tërësisht i vetëdijshëm për kufizimet e mëdha të saj, që lidhen kryesisht me statusin e vet të korracuar. Por edhe me sëmundje apo vështirësi të tjera, që ka kaluar dhe po kalon në përgjithësi shtypi shqiptar i këtyre viteve.

Eshtë e kotë dhe patetike t’i kërkohet një gazete partiake të ketë mbi supe përgjegjësinë dhe lavdinë e 26 vjetëve të shkuara, në kohën, që për shkak të avancimit të teknologjisë, sot ndjehen të kërcënuar edhe gjigandët botërorë të informimit si “New York Times” apo “Le Monde”. Por kur qeveria e ngushton lakun për shprehjen e të vërtetës, duhet respektuar dyfish cdo platformë mediatike dhe cdo idivid, që merr përsipër të sakrifikojë, sado modest qoftë ajo ose ai.

Askush nuk mund të thotë sot se edhe sa do të vazhdojë historia e Rilindjes Demokratike, pasi jo thjesht e ardhmja e shtypit partiak nuk është më një opsion, por sot duket e zymtë edhe vetë perspektiva e shtypit të shkruar kudo në botë. Mund të shkojë edhe dy vjet, ndoshta edhe më tepër, por mund të jetojë edhe shumë më gjatë, kjo nuk ka shumë rëndësi.

E rëndësishme është që, sado kohë të kalojë, dhe cilido qoftë fati i gazetave në botë, ajo do të kujtohet gjithmonë si dita e parë e lirisë për të thënë të vërtetën në Shqipëri. Dhe ne që e kemi zakon të ndahemi për shumë data, të paktën për 5 janarin do të biem përherë të gjithë dakord. Si ne që e duam, por po ashtu edhe ata që nuk e pranojnë fare gazetën “Rilindja Demokratike.”

Zjarr Tv Ad