Lajla Përnaska, kandidate e PDIU për Bashkinë e Tiranës, ka qenë e ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ku foli ndër të tjera edhe për premtimin e njërit prej kundërshtarëve të saj në garë, Belind Këlliçit, për transport publik falas.
Përnaska tha se nuk beson që në kapitalizëm të ketë shërbime falas, ndërkohë që çështjen e transportit publik e quajti “komplekse”.
“Në konceptin tim të ekonomisë së tregut, i besoj faktit që në kapitalizëm asgjë nuk është falas.
Më kujtohet premtimi i Ramës, për shëndetësi falas. Edhe ai shërbim merr nga taksa, nuk ka asgjë falas.
Uroj që Këllici të ketë bërë studim të mirëfilltë. Kam folur me specialistë dhe cështja e transportit është shumë komplekse.
Në bazë të kësaj, studimit dhe planifikimit, se si mund të realizohet transporti publik, atëherë del në konkluzione konkrete dhe realiste”, deklaroi Përnaska.