Kreu i ALUIZNI-t, Artan Lame ka dalë në një komunikim për mediat ditën e sotme, lidhur me mos dekretimin nga Presidenti Ilir Meta, të ligjit për Kadastrën.
Ai tha se një veprim i tillë është në dëm të shumë qytetarëve, të cilët nuk mund të regjistrojnë pronat e tyre.
Lame tha se ditën e djeshme Presidenti nuk dekretoi dhe ktheu për rishqyrtim në Kuvend, ligjin për Kadastrën.
Por ai nuk kurseu as ironinë ndaj kreut të shtetit duke thënë se, “Godina e Presidencës e ndërtuar që në vitin 1959 nuk ka certifikatë pronësie. As Kryesia e Kuvendit ku Ilir Meta ka shërbyer si kryetar nuk ka dokumente hipotekore. As Ministria e Jashtme, ku Meta dikur ka qenë ministër nuk është e regjistruar. Ca më parë akoma, Ilir Meta ka qenë Kryeministër, por as godina e Kryeministrisë nuk ka certifikatë”.
Duke përmendur këto objekte, ai shtoi se këto janë vetëm disa prej tyre që nuk janë regjistruar prej tyre, por se janë ende 600 mijë prona të paregjistruara.
Sipas tij, këto janë punët me të cilat do të merret Kadastra, por që Ilir Meta e ktheu mbrapsht, si të rrezikshëm.