Loja me emrat dhe “asi” nën mëngën e Edi Ramës. Prapaskenat e orëve të fundit për Presidentin e ri

0
81
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

VALENTINA MADANI/ Socialistët kanë mbi tavolinë disa emra si kandidatë për President, por sot në Kryesi ata do të vendosin vetëm për një emër.

Madje, në listën e mazhorancës ka edhe emra të propozuar nga PD-ja, pavarësisht se përfaqësuesi i saj, Enkelejd Alibeaj, u tërhoq nga procesi i negociatave.

Socialistët duhet të përzgjedhin nga një listë emrash mes të cilëve, Majlinda Bregu, Visar Hiti, Arben Çejku, Ardian Dvorani, Halim Kosova, Mimi Kodheli, Leonard Demi, Rexhep Uka etj. Por sot do të mësohet se kush do të jetë kandidati për postin e kreut të ri të shtetit.

Maxhoranca do të propozojë vetëm një kandidat për ta votuar në Parlament si Presidentin e ri të vendit. Ditën e shtunë në orën 12:00 përfundon procesi formal i regjistrimit të kandidaturave, kurse në orën 18:00 votohet Presidenti i ri.

Këtij momenti të rëndësishëm do t’i paraprijë mbledhja e sotme e kryesinë e së PS-së, e cila do të diskutojë dhe më pas do të vendosë për kandidaturën që do të kalojë në votim. Sipas kreut të Grupit Parlamentar të PSsë, Taulant BallA, do zgjidhet një kandidaturë e atillë që edhe opozita do të donte ta votonte.

Duke folur në emisionin ‘Opinion’, Balla theksoi mbrëmë se emri i Presidentit të ri mund të dalë ditën e sotme, por procedura e regjistrimit ka afat deri në orën 12 të ditës së shtunë.

“Të jesh tërësisht i kundërt nga Ilir Meta, do të thotë të kesh respekt për Kushtetutën, do të thotë që të respektosh parimin e ndarjes së pushteteve, edhe pse Presidenti nuk është një prej pushteteve. E kemi thënë që ne duam një President që të respektojë parimet kushtetuese, të qëndrojë mbi palët”, deklaroi Balla.

Ai foli për vendimmarrjen e sotme në kryesinë e PS-së, e cila do të mblidhet në orën 17:00.

“Nesër (sot) pasdite ndoshta duhet të kalojmë edhe te vendimmarrja e grupit parlamentar të PS-së.

Procesi i regjistrimit përmbyllet ditën e shtunë ora 12:00. Balla deklaroi se maxhoranca ka bërë gati një listë me emra kandidatësh. Balla u shpreh se kjo listë do të diskutohet në mbledhjen e kryesisë së PSsë. “Ne kemi negociuar me të gjithë opozitën e përfaqësuar në Kuvend. Kemi pasur një moment kur kemi pasur një dakordësi, pas dështimit të raundit të parë, që opozita të fitojë të drejtën për të propozuar ata një emër ose disa emër. Në asnjë rast nuk ka qenë një dakordësi 4-2. Në rast se opozita do kishte ushtruar përgjegjësinë për të sjellë me 20 firma mbështetëse, ne nuk do e rrëzonim, por do e merrnim në konsideratë.

Nesër do ta diskutonim në Kryesinë e PS-së. Debati ka qenë që opozita të ketë të drejtën ekskluzive të propozimit, 4-2-1. Kjo nuk ka qenë negociatë. Negociatë quhen kur palët kanë të drejtë të negociojnë”, deklaroi Balla. Ai përjashtoi mundësinë që Gramoz Ruçi të jetë kandidat për President, edhe pse emri i tij është përfolur ditët e fundit. Ndërsa i pyetur nëse opozita bojkoton votimin, a do të jetë procesi i cenuar, Balla u shpreh se Partia Demokratike është më e ndëshkuara nga bojkotet. Ai u bëri thirrje të gjitha palëve politike që të marrin pjesë në votim, edhe sikur të votojnë kundër. “Partitë politike kanë reflektuar nga bojkoti dhe askush nuk përfiton. Ata që janë ndëshkuar nga bojkoti është PD. Apeli im është pjesëmarrja dhe shprehja me votë. Le të vijnë të votojnë edhe kundër”, u shpreh Balla.

Presidenti i ri dhe zgjedhja e krerëve të degëve, PS mbledh sot Kryesinë

Socialistët mbledhin sot Kryesinë me një rend ditë të paracaktuar. Krahas nisjes së procesit të ri zgjedhor në Partinë Socialiste për kryetarët e partive në 61 degë, anëtarësia e këtij forumi do të diskutojë edhe kandidaturat për postin e kreut të ri të shtetit. Në fakt, çështja e diskutimit për Presidenti është pika e fundit e rendit të ditës në mbledhjen e kryesisë.

Zyrtarisht, në fillim të mbledhjes do të diskutohet për procesin e zgjedhjes së 61 kandidatëve të PSsë në 61 bashki. Kryeministri Edi Rama postoi dje në rrjete sociale disa foto nga Devolli, ku atje ka nisur ballafaqimi mes kandidatëve përpara anëtarësisë.

Ky proces i dytë për zgjedhjen e kryetarëve, sipas Ramës, do të mbikëqyret nga Komisioni i Posaçëm i kryesisë socialiste. “Maliq, Devoll – Starton procesi i ri zgjedhor në Partinë Socialiste, ku kandidatët për drejtimin e 61 degëve kryesore të partisë do të ballafaqohen përpara anëtarësisë, nën mbikëqyrjen e Komisionit të Posaçëm të kryesisë socialiste”, shkruan Rama.

Nisur edhe nga kjo pikë e rendit të ditës që ka të bëjë me zgjedhjen e krerëve. Ndaj, mbledhja e sotme mund të zgjasë deri në mbrëmje vonë. Kryesia do të vendosë për emrin e kandidatit për President, i cili më pas do t’i paraqitet formalisht grupit parlamentar të partisë. Kurse të shtunën në mëngjes do të mblidhet komisioni i Ligjeve për të certifikuar kushtetuteshmërinë e kandidatit e më pas, do të mblidhet seanca plenare. Në korridoret politiko-mediatike përfliten disa figura të mundshme.

Në fund të fundit, të gjithë janë të ndërgjegjshëm se kandidati është nomenklaturë personale e Edi Ramës. Që do të thotë, nuk pritet të ketë kontestime nga brenda për propozimin që do të bëjë Rama në grup./Panorama.al

 

Zjarr Tv Ad