Analisti Lorenc në një shkrim të gjatë është shprehur se kryeministri Edi Rama ka një fat të madh që ka përballë edhe Berishën edhe Bashën.
Më tej Vangjeli ka theksuar se Berisha e ka paditur Anthony Blinken në Gjykatën e Parisit dhe jo në të Kurbinit sepse rezultati do ishte i njëjtë.
Reagimi i plotë:
“Nëse Shqipëria do të ishte ende nën komunizëm, me të gjitha gjasat, Sali Berisha do të ishte anëtar i byrosë politike të PPSH-së prej 25 vjetësh, kurse Edi Rama do të ishte në vitin e 17-të të burgut. Ilir Meta do të ishte drejtor i ndërmarrjes artistike Migjeni, kurse Lulzim Basha, ende pa i dorëzuar asnjë fije floku thinjave, do të ishte zëvendës i Pandi Majkos, sekretar i komitetit të rinisë, pavarësisht se ishte thinjur që në rini.
Një pjesë e madhe e anëtarëve të kabinetit qeveritar do të ishin mësues shkollash tetëvjeçare në pritje për t’u transferuar në fshatra afër rrugës, që të ktheheshin me kamionët e kromit në Tiranë, njëherë në muaj për t’u larë me ujë të ngrohtë, kurse një numër mbresëlënës deputetësh të djeshëm e të sotëm, do të ishin në burg për vjedhje të pronës socialiste dhe kontrabandë. Secili nga ta, të lidhur në marrëdhënie interesi edhe pa u njohur fare me njëri-tjetrin janë, bashkë dhe veç e veç, fat për tjetrin, një fat që është tërësisht i ndryshëm nga sa parashkruante dikur për ta, teritali monoton i komunizmit.
Sot Sali Berisha, non grata nga SHBA, pretendon se është antikomunist; Edi Rama merr dekoratë amerikane dhe drejton qeverinë me partinë e trashëguar nga ish-komunistët; Ilir Meta planifikon jetën përtej presidencës, pa dyshuar se hakmarrja nuk mund ta çojë më larg se dashuria; Lulzim Basha, pavarësisht armiqësisë me të gjithë, ende nuk ka vendosur të thinjet, kurse Pandi që u thinj në rini pa kaluar më parë në adoleshencë, tani në moshë të pjekur, po jeton adoleshencën e një jete që nuk e ka njohur kurrë më parë.
Gabriel Escobar, i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, do të vijë në Tiranë pak orë përpara Foltores së Stadiumit Air Albania, për të diskutuar edhe “…mbi vendosmërinë e Shteteve të Bashkuara për të SFIDUAR korrupsionin, pandëshkueshmërinë dhe përpjekjet për të minuar demokracinë në Ballkanin Perëndimor”.
Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit i SHBA, me emrin e të cilit kanë nisur të bëjnë lojëra fjalësh në Tiranë, e di se shefin e tij në Uashington, e kanë paditur për shpifje në Gjykatën e Parisit sepse Berisha pretendon se nuk ka prova që ai është edhe i korruptuar, edhe minues i demokracisë.