Komisioni i Ligjeve ka miratuar sot unanimisht projektligjin për krijimin e një regjistri kombëtar që do të mbajë të dhënat e personave të dënuar për krime seksuale. Maxhoranca dhe opozita kanë bashkuar votat duke i dhënë “Ok”, draftit për krijimin e regjistrit kombëtar të autorëve të veprave penale me natyrë seksuale. Kjo ishte dhe mbledhja e fundit e Komisionit të Ligjeve për këtë sesion parlamentar. Vendimi i cili nuk mori asnjë votë kundër u përshëndet nga të dyja palë si shenjë e vullnetit të mirë të bashkëpunimit në interes të qytetarëve. Nismëtarja e projektligjit, deputetja e LSI Erisa Xhixho falënderoi kolegët e të dyja palëve në këtë komision.
“Edhe unë kam një falenderim. Faleminderit kolegëve dhe institucioneve që kanë bashkëpunuar për draftin. Faleminderit që keni marrë parasysh sugjerimet tona që të jetë një ligj sa më i mirë. Uroj që të enjten në seancë të jemi pro këtij ligji”, tha ajo.
Pedagogia Iris Luarasi një nga mbështetëset e këtij propozimi njoftoi edhe nismën e radhës që do të paraqesin në Kuvend për mbrojtjen nga krimet seksuale.
“Dua të falënderoj ju të gjithë për bashkëpunimin. Dua të falenderoj qytetarët që e kanë mbështetur. Me firmat e 22 mijë qytetarëve mund të bëhen ndryshime. Shumë shpejt duam të sjellim kastrimin seksual. Kastrimi seksual është pilula që ul dëshirën për sulmuar seksualisht. Nuk është e pakthyeshme. Ka një efekt 2 deri në 4 vjet. Duhet të jemi koshientë që në një vend të varfër pjesa e monitorimit është shumë e vështirë. Të gjithë ata që janë prindërit e dinë shumë mirë që kjo do ishte më e pakta që mund të kërkonin”, tha Luarasi.
Nënkryetarja e Kuvendit Ermonela Felaj vuri theksin te bashkimi i forcave për një kauzë. “Falënderoj kolegët e opozitës. Kur nuk futet politika në mes ne marrin më të mirën nga njëri tjetri. Dhe kjo duket”, u shpreh ajo.