Me ç’metër duhet ta gjykojmë Albin Kurtin?

0
30
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Disa episode të tërheqjes së kryeministrit Albin Kurti përballë presionit dhe qasjeve taktike të ndërkombëtarëve, kanë entusiazmuar kritikët e tij të paepur, po aq sa kanë ligështuar mbështetësit e vet të arsyeshëm.

Vetëm në muajt e fundit të vitit që sapo mbyllëm, lideri i Vetëvendosjes është detyruar të bëjë zbrapsje jo të lavdishme për energjinë, dokumentat dhe targat ilegale, për mosndëshkimet e banditëve serbë që organizojnë trazira në veri, si dhe per anullimin e zgjedhjeve të parakohshme në komunat e bojkotuara nga Lista Serbska. Kompromisi i heshtur për lirimin nga arresti të Dejan Pantiç, policit të akuzuar për terrorizëm, të cilin policia e Kosovës u tregua e paaftë ta sillte deri në Prishtinë, është simboli më i dukshëm i këtyre lëshimeve.

Menjëherë pas këtij akti, u duk se kriza u zgjidh dhe kjo tërheqje e palës shqiptare e bëri Vuçiçin të urdhërojë fanatikët e vet të çlirojnë rrugët nga barrikadat.

Duhet thënë se në të tëra këto raste, qeveria e Kosovës është përballur jo vetëm me “armikun tradicional”, por edhe me padurimin, nervat e dobta dhe verbërinë, që shfaqin shpesh kancelaritë perendimore, për të sakrifikuar parimet e qëndrueshme në emër të një stabiliteti fallco, momental. Disa deklarata si ato të shefit të politikës së jashtme të BE-së, Borelli, apo pezullimi i udhëtimeve drejt ShBA-së për ndonjë ministër, kanë lënë në publik shijen se, ndryshe nga aureola që ka krijuar, Kurti as po u rreziston ndërkombëtarëve, as po ruan dot me ta marrëdhënien “e mirë”, tradicionale, të liderëve që dinë ta kërrusin lehtë shpinën.

Tim Judah: “A do të mbarojë ndonjëherë lufta e Kosovës”?

Kjo ka bërë që bashkë me këto zbrapsje, të kriset edhe kredoja që lideri i Vetëvendosjes ka predikuar me pathos gjatë kohës së opozitës, ajo pra, se ata udhëheqës që nuk vjedhin, nuk përzihen me bandat dhe nuk kanë akuza për krime mbi shpinë, janë të pashantazhueshëm dhe nuk bien pre e asnjë presioni diplomatik.

Në këtë pikë, koha e idealizmit opozitar ka marrë fund dhe papritmas kryeministri i Kosovës është zgjuar në realitetin cinik të ekuilibrit të forcave dhe politikës të së mundshmes. Bashkë me këtë zgjim është flijuar dhe bindja se mjafton të jesh i pastër dhe i ndershëm për të ruajtur të pacënuar sovranitetin absolut të Kosovës. Ky i fundit varet njëkohësisht edhe nga sfida momentale gjeopolitike, si lufta në Ukrainë, nga gjykime të aty për atyshme të diplomatëve, vendi i punës i të cilëve shpesh varet nga zgjidhja e një episodi të vetëm, nga trysnia e të gjithë faktorëve që janë në lojë.

Prandaj, në këtë pikë, Albin Kurti gjendet në një kthesë historike të karrierës, kur i duhet ta vrasë rebelin e dikurshëm flokëgjatë e pa kollare, që përmbyste me entusiazëm fuoristradat e UMNIK–ut. Politikani që pretendon se pushtetin nuk e ka qëllim në vetvete, por një mjet për të mbërritur në pikën ku beson, tashmë duhet të ndërgjegjësohet se, në situatën ku ndodhet, nuk e ruan dot më koherencën e plotë mes idealit të opozitës dhe realizmit të pushtetit.

Natyrisht, që kurdoherë në politikë një zgjedhje e tillë ka kosto. Ajo shoqërohet me tërheqjen e mbështetjes të një pjese të atyre që e kanë parë si idhull dhe me zhgënjimin e atyre që kanë besuar të pamundshmen.

Këtej e tutje Albin Kurti duhet t’i bëjë llogaritë edhe me këtë shkëputje. Nga ana tjetër, ata që e gjykojnë atë, ndonëse janë në të drejtën e tyre për të mos lënë rast pa i përmendur dështimin për të mbajtur gjallë iluzionet që ndezi dikur, duhet të jenë të ftohtë e të drejtë në hartimin e bilancit total të tij. Ata mund ta kritikojnë, nga mëngjesi deri në mbrëmje, se i gënjeu teksa predikonte që pastërtia dhe morali janë armë të mjaftueshme për të pasur sukses në politikë, por ama nuk mund ta mohojnë se, qoftë edhe në humbje, kryeministri i Kosovës i ka kultivuar këto vlera.

Sot qeveria e Vetëvendosjes është një rast sui generis në një rajon ku, nga Beogradi në Tiranë, sundojnë klika që grabisin popullin e tyre, vjedhin zgjedhjet dhe blejnë mediat. Për kabinetin Kurti as dhe kundërshtarët më të mëdhej nuk guxojnë të pretendojnë afera korruptive, lidhje me krimin e organizuar, joshje të mediave apo prapësim të standarteve demokratike. Dhe ky është një tjetër metër me të cilin duhet të matet qeveria më demokratike në rajon. Kjo qasje e virtytshme nuk duhet anashkaluar.

Ndonëse ajo nuk është garanci për të korrur fitore maksimale ndaj Beogradit, as për të kthyer mendjen e ndërkombëtarëve të lëkundur, sërisht ajo mbetet një fat për qytetarët e Kosovës, që kanë privilegjin e përfitimit nga një shtet ligjor ku me ku më të lartë se fqinjët e tyre serbë apo shqiptarë.

©Lapsi.al

Zjarr Tv Ad