Një qytet i largët shqiptar ka humbur aq shumë shqiptarë që kanë ikur si emigrantë në Angli sa rrugët e tij tani janë praktikisht të zbrazura nga të rinjtë.
“Kemi mbetur kaq pak këtu. Ata jetojnë të gjithë me ju tani” , tha dje për Daily Mail Liman Morina, kryebashkiaku i Hasit, një qytet që është larg tre orë me makinë nga kryeqyteti, Tirana.
“Kaq shumë kanë shkuar saqë ne ndihemi pjesë e Britanisë, sa mbretëresha juaj e ndjerë ishte edhe si mbretëresha jonë,” shtoi ai teksa foli për Daily Mail në zyrën e bashkisë së tij, ku ka një foto të mbretëreshës së ndjerë Elizabeth II.
Javën e ardhshme, këshilli bashkiak i Hasit do të miratojë ndërtimin e një statuje të Mbretëreshës pranë sheshit kryesor, të financuar nga donacionet e dërguara nga emigrantët që jetojnë në Britani.
Morina, një ish-mësues shkolle 52-vjeçar, tha: “Do të qëndrojë në qendër të qytetit me kërkesën time. Njerëzit e Hasit do të japin paratë që fitojnë në Angli.’
Pas vdekjes së mbretëreshës, ai organizoi një ditë zyrtare zie në Has, e cila u raportua në media si kryeartikull.
Ai shpjegoi: “Statuja e re është për ta nderuar atë, sepse gjatë kohës së saj si monarke britanike, njerëzit tanë nga Hasi filluan të shkonin në Angli dhe ajo u dha atyre mundësinë për të gjetur punë dhe për të ndërtuar një jetë të re [nga] hiçi”.
Morina nuk është aq dashamirës për Sekretaren e Brendshme Suella Braverman. Ai reagon me zemërim për atë që ai e sheh si një etiketim i perfshire nga emocionet kur e ka quajtur ‘pushtim’ nga emigrantët, shumë prej tyre shqiptarë, në MB me gomonet e trafikantëve.
Më shumë djem adoleshentë kanë udhëtuar nga Franca në Angli me rrugë detare nga qyteti i tij i vogël se kudo tjetër në Shqipëri.
Morina thotë se ata nuk janë azilkërkues. “Prindërit i lanë të shkojnë. Ata mendojnë se do të jetë një jetë më e mirë në vendin tuaj për fëmijën e tyre. Është një vendim ekonomik”, thotë ai.
Ai mund të njohë fytyrat e të rinjve të Hasit që mbërrijnë në Dover në pamjet që shfaqen rregullisht në lajmet televizive të vendit.
“Por numri i shqiptarëve në Britaninë e Madhe nuk është asgjë në krahasim me sa i madh është vendi juaj. Ka shumë vend. Është diskriminim i pastër që Sekretarja juaj e Brendshme të thotë se ne po pushtojmë Anglinë dhe përfshirjen në krime”, shtoi ai.
“Ka disa persona nga Hasi që kanë kompani ndërtimi në Britaninë e Madhe me një xhiro prej 50 milionë paundesh në vit. Nuk e di pse zonja Braverman bën komente kaq diskriminuese për ne. Ne e ndiejmë se është raciste.’
Kryebashkiaku ka katër vëllezër që jetojnë në Leicester. Ai lutet që tre fëmijët e tij, dy vajza dhe një djalë nga dhjetë deri në 20 vjeç, të mos largohen nga Hasi.
Një nga shkollat e mesme më të mëdha në qytet kishte 800 nxënës në vitin 2016. Deri në fund të sezonit veror të këtij viti, ishin vetëm 480. Pjesa tjetër ishte zhvendosur në MB. Gjatë pushimeve 60 të tjerë u nisën me gomone për në Angli.
“Ka aq pak ende këtu sa nuk mund të mos e vini re”, thotë Morina. Eksodi i Hasit, thotë ai, është nxitur nga mungesa e punës. Nga popullsia e qytetit prej 5000 banorësh, vetëm 700 nga të rriturit kanë punë, 300 prej tyre punojne në sektorin publik si oficerë policie, nëpunës civilë ose mësues të paguar nga shteti shqiptar.
Banorët mbështeten shumë në paratë e dërguara nga MB nga djemtë e tyre për të përballuar jetesën.
Në periferi të Hasit, janë ngritur vila të mëdha dhe të bukura, të ndërtuara me paratë e bëra në Britani.
Pronarët e tyre kthehen nga Anglia gjatë verës duke ngarë makinat e kushtueshme për të kaluar disa javë pushime. Kryebashkiaku shpjegoi: “Do të përballeshim me një fatkeqësi të madhe nëse fëmijët nuk do të shkonin sepse u dërgojnë para nënave, baballarëve, vëllezërve më të vegjël, motrave të tyre. Më shumë se tetë në dhjetë familje varen prej saj. Edhe ata që punojnë fitojnë aq pak sa kanë nevojë për ndihmën shtesë nga fëmijët e tyre në Angli.”
Më pas ai shtoi me respekt: ”Kjo është arsyeja pse ne po ndërtojmë një statujë të Mbretëreshës – për ta falënderuar atë që na dha të gjithëve një shans.”