Tre marsi, dita kur do të mbahet protesta e opozitës në kryeqytet, nuk do të jetë gjë tjetër përveç se një cirk. Kështu e ka vlerësuar kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj në një intervistë për mediat dje, organizimin e opozitës, ndërsa theksoi se ajo do të zhvillohet vetëm për interes të drejtuesve dhe jo të qytetarëve.
“Ata dalin për hallin e tyre. Shtëpitë e njerëzve dhe paniqet i hapin vetëm për vota. Shikoni se çfarë ndodhi më 8 janar kur rrahën njëri-tjetrin dhe dogjën selinë e tyre. Praktikisht ti kupton se këta kanë hall vetëm interesin e tyre. Njëri është non-grata në Amerikë dhe Angli, tjetri nuk merr dot një votë dhe ngeli duke ndërruar emrin e partisë sepse me atë imazh skandaloz nuk mund të vazhdojnë më të jetojnë në politikë. Ata kanë vetëm, hallin e tyre, se po të ishin duke vuajtur nuk do ishin me vila në Lalz.
Nuk do i kishin zyrat në kullat e Tiranës. Shajnë kullat dhe në kulla rrinë vetë, shajnë ndërtimet dhe në fakt janë ndërtuesit kryesorë, janë edhe ndërtues edhe përfituesit e mëdhenj të vilave në bregdet. Ajo e datës 3 është një cirk para fushate. Është tamam cirku në fshat. Dhjetë javë janë, do i durojmë edhe këto cirqe dhe pastaj të çojmë Tiranën dhe Shqipërinë në drejtimin e duhur”, deklaroi ai. Më tej zoti Veliaj theksoi se numri i madh i emrave të konfirmuar për të kandiduar për Bashkinë e Tiranës në zgjedhjet e 14 majit, tregon demokraci dhe se shpreson që fushata të jetë me shumë ide.
“Gjithë këta kandidatë – qofshin 6, 7 apo 17 – janë të mirëpritur. Në demokraci, sa më shumë opinione të kemi, sa më shumë ide të rrihen, aq më mirë bëhet. Ju uroj të shtatëve shumë sukses dhe një eksperiencë të jashtëzakonshme që sjell fushata dhe rrahja e ideve. Por, është tjetër gjë të komentosh nga divani në Facebook, dhe tjetër gjë të thuash se çfarë vendimi duhet të marr tani. Unë nuk e kam luksin të jem analist, unë duhet të marr një vendim për mënyrën si ecën qyteti.
Vendimet nuk i pëlqejnë gjithmonë të gjithëve, por thirrja ime për të gjithë kandidatit është: Detyra jonë është t’u shërbejnë të gjithëve dhe jo t’u pëlqejmë të gjithëve. Ndonjëherë kur i shërben të gjithëve, ndërton një rrugë të drejtë, por dikujt i prishet avllia, e cila ka mbirë si pykë aty, dikush tjetër ka ndërtuar pa leje dhe ndoshta i prishet interesi”, nënvizoi Veliaj.