Minierat e bakrit, turqit e TETE Albania kërkojnë leje të zgjerojnë aktivitetin edhe në katër zona

0
99
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Kompania TETE Albania e cila ka investuar prej vitesh në një fabrikë pasurimi të bakrit në zonën e Spaçit ka kërkuar leje për nisjen e punimeve të kërkim zbulimit dhe shfrytëzimit në disa nga zonat minerare përreth këtij rajoni.

Vetëm këtë muaj pranë institucioneve janë paraqitur katër përmbledhje joteknike të cilat specifikojnë aktivitetin që do të kryhet.

Kështu zona e parë për të cilën është paraqitur kërkesa është Peralti Jugor një ish-minierë ekzistuese bakri në njësinë administrative Kthjellë, Mirditë.

“Projekti që kërkohet të zbatohet nga subjekti juridik “TETE ALBANIA TUNEL & MINING” Sh.a, ka për qëllim përgatitjen dhe shfrytëzimin e rezervave minerare në zonën minerare Nr.217, objekti “Perlati Jugor”, (ish miniere ekzistuese) për të realizuar nxjerrjen dhe më tej përpunimin më anë të procesit të pasurimit i cili do te realizohet ne fabrikën e pasurimit Spaç. Pas procesit të pasurimit produkti final do të ketë si destinacion te mëtejshëm eksportin. Investimet në këtë objekt kanë filluar në vitin 1987. Hapja e këtij vendburimi ka filluar me punime vertikale dhe deri tani, është kryer një pjesë e punimeve. Punimet minerare ka vite që janë ndërprerë dhe për pasojë shembja e tyre është evidente” thuhet në dokumentin e paraqitur nga kompania.

Ndërkohë që zona e dytë është Perlat Shebë me numër 145/1 do të kryhen punime me sondë për të parë nëse ka interes për zhvillimin e aktivitetit.

“Zona minerare nr. 145/1 për të cilën kërkohet leja minerare e kërkim-zbulimit, përfshin periferinë në pjesën jugore dhe veriore të vendburimit Perlat Mirditë, e cila synon zgjerimin e kufijve industrialë të vendburimit të Perlatit, drejt veriut drejt Shebes dhe Kthellës së Epërme dhe drejt jugut Buzëbojë, duke kryer një program punimesh kërkim-zbulimi me punime shpim” thuhet në dokument.

I njëjti vlerëson se në sipërfaqe nuk do të kryhen punime minerare sipërfaqësore, pasi kjo fazë punimesh është e tejkaluar. Siç e kemi përmendur edhe me larte punimet ne veprimtarinë minerare te kërkim zbulimit te mineralit te bakrit ne Zonën Minerare Nr.145/1 do te jene punime shpimesh me sonde, ku këto shpime do te saktësojnë nëse objekti paraqet interes për perspektiven bakërmbajtëse, për t’ju nënshtruar me pas fazës se shfrytëzimit, prandaj kryerja e këtyre shpimeve në ndjekje të këtyre rezultateve është e domosdoshme.

Zona e tretë për të cilën është kërkuar lejë është Gurth 1 në zonën administrative Fan dhe Orosh qarku i Lezhës.

“Miniera e bakrit Gurth 1 ka qene ne shfrytëzim nga ish miniera e bakrit Spaç, si një nga sektorët e saj. Puna për hapjen dhe shfrytëzimin e minierës Gurthi 1, ka filluar rreth vitit 1978. Orientimi i punimeve të hapjes se minierës është bere sipas projekt idesë se hartuar nga Instituti Gjeologjisë dhe Minierave në vitin 1978, mbi të dhënat e raportit gjeologjik te hartuar nga ndërmarrja gjeologjike e asaj kohe

Shfrytëzimi i kësaj miniere me galeri është me një vlerë të madhe investimi, e ndërkohë krijon kushte optimale për rritjen e efektivitetit të shfrytëzimit të mineralit të bakrit, përballë një tregu mjaft të favorshëm kur çmimi ka disa vite që është rreth trefishin e periudhës më të mirë të viteve 1990, kohë që kjo minierë ka funksionuar me kapacitet maksimal dhe tregues optimal” përcaktohet në projektin teknik.

Zona e katërt për të cilën kërkohet lejë është ajo 177/1 objekti Veriu i Spaçit. Sipas dokumentit në vendburimin Veriu i Spaçit në fazën e kërkim-zbulimit, parashikohen vetëm punime shpimesh me sonde të cilat këto punime do të parashtrohen në kapitujt në vijim. Në këtë kuptim, në sipërfaqe nuk do të kryhen punime minerare sipërfaqësore, pasi kjo fazë punimesh është e tejkaluar. Siç e kemi përmendur edhe me larte punimet ne veprimtarinë minerare te kërkim zbulimit te mineralit te bakrit ne Zonën Minerare Nr.177/1 do te jene punime shpimesh me sonde, ku këto shpime do te saktësojnë nëse objekti paraqet interes për perspektiven bakërmbajtëse, për t’ju nënshtruar me pas fazës se shfrytëzimit, prandaj kryerja e këtyre shpimeve në ndjekje të këtyre rezultateve është e domosdoshme.

Pas një rënie të aktivitetit në periudhën e pandemisë rritja e çmimit të lëndëve të para riktheu sërish interesin për investime dhe zgjerim të aktivitetit minerar. Ajo që shërbeu më pas si goditje ishte rritja e çmimeve të energjisë duke e bërë jo ekonomik prodhimin por me rënien graduale të tyre duket se ka sërish një përshpejtim të aktivitetit. /Monitor

Zjarr Tv Ad