Një ngjarje e rëndë ka tronditur Tiranën ditën e sotme, ku motra ka vrarë motrën me thikë pas një konflikti. Personat në foto janë viktima Amanda Pushani 37 vjeçe dhe autorja Marsela Pushani 40 vjeçe, me profesion mësuese.
Autorja ka thënë para uniformave të policisë se nuk ka dashur ta vrasë motrën dhe se ka kryer vrasjen në kushtet e vetënbrojtjes. 40-vjeçarja ka thënë se motra e saj ishte e alkoolizuar prej 10 vitesh dhe ishte problematike.
Marsela Pushani rrëfen se pak para ngjarjes po debatonin pasi ajo dhe e ëma i kishin kërkuar që të hiqte dorë nga alkooli. Sipas 40-vjeçares viktima ka marrë thikën dhe ka kërcënuar se do ta vrasë atë dhe nënën e saj, në këto kushte 40-vjeçarja e ka qëlluar me thikë një herë në bark, duke i marrë edhe jetën.
“Nuk kam dashur ta vras motrën, veprova në kushtet e vetëmbrojtjes. Prej më shumë se 10 vitesh ishte e alkoolizuar dhe problematike. Mëngjesin e djeshëm kemi pasur debat pasi i kërkonim që të linte alkoolin. Fillimisht Amanda mori thikën dhe më kërcënoi mua dhe mamanë se do të na vriste. Situata u tensionua dhe veprova në kushtet e vetëmbrojtjes”, ka thënë Marsela Pushani në Polici.
Kujtojmë që familjarët kishin njoftuar policinë duke thënë se 37-vjeçarja ka ndërruar jetë për shkaqe natyrale, por nga ekspertiza mjeko-ligjore rezultoi se goditja me thikë në bark i mori jetën.
Njoftimi policisë për ngjarjen:
Ditën e djeshme, rreth orës 11:40, është marrë njoftim se në rrugën “Hajdar Hidri”, shtetasja A. P., 37 vjeçe, kishte ndërruar jetë dyshohet për shkaqe natyre.
Pas marrjes së njoftimit, Shërbimet e Policisë kanë kaluar menjëherë në vendngjarje, dhe pas konstatimit të trupit të pajetë të shtetases A. P., 37 vjeçe, e cila fillimisht është raportuar si vdekje natyrale nga familjarët, kanë vijuar veprimet hetimore të thelluara në lidhje me rastin, për të bërë të mundur zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.
Pas kryerjes së autopsisë ka rezultuar se shtetasja A. P., 37 vjeçe, ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra nga një mjet prerës.
Në vijim të veprimeve, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda arrestuan shtetasen M. P., 40 vjeç, (motrën e saj), banuese në Tiranë, për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, pasi ditën e djeshme, gjatë një konflikti ka goditur me mjet prerës shtetasen A. P., e cila si pasojë e plagëve të marra, ka ndërruar jetë.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.