Një vepër e veçantë artistike po ngrihet pranë Radio Televizionit Shqiptar, aty ku legjenda e muzikës shqiptare, Vaçe Zela, filloi rrugëtimin e saj të lavdishëm. Artistja dhe këngëtarja e madhe shqiptare, Vaçe Zela do të përjetësohet në një murale.
Muralja që do të nderojë figurën e saj po realizohet nga artisti me famë ndërkombëtare, Maximiliano Debasko i cili sapo realizoi në Tiranë edhe muralen e shkrimtarit Ismail Kadare, ndërsa një vit më parë pikturoi portretin e yllit të futbollit ndërkombëtar, Lionel Mesi.
Vajza e Vaçe Zelës, Irma Rodiqi në një reagim të ndjerë shprehu mirënjohjen dhe emocionet që kjo vepër i përcolli ndërsa falenderon thellësisht RTSH, Helidon Halitin si dhe artistin Maximiliano Debasko duke shtuar se “Nuk ka pasuri në botë që do të mund të zëvendësonte sado pak dashurinë tuaj të pakufishme!”
Reagimi i plotë:
«Po ku ka si ti o Shqipëria ime!» – Nuk ka varg që mund të shprehë më fuqishëm mirënjohjen time të thellë. Jo rrallë dëgjoj, Sikur të kish lindur në një vend tjetër… E kam thënë për herë të parë atë ditë, kur me dashurinë tuaj të pafund, ma bëtë më të lehtë përcjelljen në amshim të nënës sime të shtrenjtë, dritës së jetës time. E kam rithënë kur në stadium kumbonte zëri i saj mes brohorimave dhe lotëve tuaj dhe nuk do të rresht së përsërituri sa të kem frymë: Nuk ka pasuri në botë që do të mund të zëvendësonte sado pak dashurinë tuaj të pakufishme! Atë që i falët sa ish gjallë dhe i falni edhe sot. Jam e bindur që ajo na vëzhgon e lumtur nga qielli, të cilit ju me adhurim i shtuat një yll në ditën e largimit të saj nga kjo jetë, dhe prej sot edhe nga muri në të cilin e përjetësuat me aq shumë dashuri e art. Ju jeni Shqipëria e saj e shenjtë, Shqipëria ime e dashur. Ajo që nuk vdes kurrë!
Krenare për ty o fisnikja përmbi mur!
Përulur para teje e shtrenjta Shqipëri!
Mirënjohje RTSH!
Gracias Maximiliano Bagnasco!
Falemnderit Helidon Haliti!”
Iniciativa për këtë murale vjen në kuadër të “Mural Fest Tirana”, një projekt nën drejtimin e artistit të njohur Helidon Haliti. Sipas Halitit, ideja për të përjetësuar Vaçe Zelën në këtë mënyrë lindi nga dëshira për të nderuar një nga ikonat më të mëdha të kulturës shqiptare, që la një gjurmë të pashlyeshme në muzikën e vendit.