Nga Agim Xhafka
Rasti e solli që kur kryeministri ynë po fliste për begatinë që do na zbritka këto dhjetë vitet që vijnë, ta dëgjoja në televizor duke pirë kafe me Bedriun, një fqinjin tim, pensionist i hershëm. E ai si përherë kur rrimë bashkë, sa gjerbte një gllënjkë nga filxhani i kafes, thoshte me sytë nga televizori:
-Po si nuk na e rriti dy lekë pensionin ky njeri i mbrapshtë?! Të paktën dy lekë! Çmimet na i çoi në qiell, vjedhjet arritën në hënë, grabitjet shkuan deri prapa diellit e sërish nuk shton asnjë qindarkë për ne. Dhe të mendosh që pa votat tona partia e tij as vendin e katërt nuk e kap dot në parlament. Veç pensionistët dhe hajdutët e japin votën për Rilindjen.
Nuk doja të mërzitej ndaj shtova:
-Ja, sa të hedhë naftën përpjetë pusi i Shpiragut e do të rrosh si pasha zotrote!
-Pusi i Shpiragut është komardare e këtij shpifarakut.
Në gjuhën e përditshme shpifarak nuk është një njeri që trillon dhe kaq. Është më shumë ngarkesa emocionale për të. Bëhet fjalë për një që gënjen me synim të qartë mashtrimin,që në ato që thotë ka arrogancë, por dhe kërcënim.
Bedri pensionisti paskej të drejtë. Kishte qëlluar në shenjë. Rama nga që është duke u rrotulluar në vorbullat e vjedhjeve pa fund,të grabitjeve në çdo cep të vendit,të groposjes së ekonomisë del e kapet te kashta e radhës. Kështu ia doli më parë me timonin,më pas me tepsinë e sa më shumë i trash zullumet aq që më të madh e gjen objektin e kalimit të lumit. Këtë radhë do bëjë fushatë me një fuçi naftë. E naftë që s’është naftë dosido,do mburret. Nuk është si ajo e zakonshmja që mban nëntoka jonë. Jo,jo. Është fiks naftë si ajo e Arabisë Saudite.
Që makinat të shkojnë drejt e te pusi e të furnizohen pa hesap. Si raki e zjerë dy herë dmth. Nuk ka nevojë hiç të përpunohet. Do dalë siç e do Rama, siç ia kërkon mendja e tij e sëmurë.
Nafta e Shpiragut edhe në se del,edhe në se nuk del u bë vegël propagande. Kryeministri po harton platformën e tij për fushatë bazuar pikërisht te ai pus. Mos u çudisni kur ta shihni së shpejti futur në ndonjë fuçi të madhe lejla me sloganin shkruar bukur mbi të:
‘Begati, na prit në gjirin tënd! Erdhëm!’ Por fajin s’e ka Shpiragu. Fajin e ka Shpifaraku. Si dhe Bedriu me shokë shumë që përcjellin fëmijët e tyre në emigrim që banda rilindase të jetojë në Shqipëri plot gëzim.