Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ditën e sotme po zhvillon një tur nga jugu në veri me 9 ndalesa në kuadër të fushatës elektorale për zgjedhjet e 25 prillit.
Ndalesa e gjashtë për Bashën ishte në qytetin e Krujës, ku mbajti fjalën e tij i rrethuar nga qindra mbështetës të Partisë Demokratike.
Ai tha se nga kryeqendra arbërore e Skënderbeut buçon thirrja për ta çliruar Shqipërinë nga 8 vite dështime, ndërsa shtoi se vendi ynë është marrë peng nga një grup personash të lidhur me qeverinë.
“Mirënjohje për këtë pritje kaq entuziaste që nisi nga Fushë Kruja. Për 8 vite me radhë, rruga e të rinjve krutanë e shqiptarë, është bllokuar nga një njeri dhe shpura e tij. 8 vite lakun në fyt për shumicën e shqiptarëve dhe pasuri marramendëse për një pjesë njerëzish që kanë marrë peng Krujën dhe rrugën tonë drejt Europës. Kanë marrë peng edhe shpresën dhe besimin që prindi k ate vetja, për fëmijët tanë. Sot nga kryeqendra arbërore e Gjergj Kastriot Skënderbeut, buçon thirrja për ta çliruar Krujën dhe Shqipërinë nga 8 vite dështime e vuajtje. Takoj nënat shqiptare që kanë sytë e përlotur, zemrat e gjakosura, nga bijët dhe bijat e tyre që largohen. Takoj pensionistët të shtyrë në kufijtë e ekzistencës dhe dinjitetit. Takoj fermerët, të vetmit që nuk marrin subvecione. Takoj rininë e mrekullueshme shqiptare të lënë mes dy rrugëve, mjerimit apo emigracionit. Ju them sot nga Kruja, se në 25 prill zgjidhja është në dorën tuaj. Për nënat tona, për nënat e rinisë krutane, në 25 prill për ndryshimin votoni numrin 9.
Nuk ka ndryshim pa larguar Edi Ramën. Shqipëria ka nevojë për ndryshim, Shqipëria pret ndryshimin. Ai që për 8 vite me radhë s’ka mbajtur asnjë premtim, vjen dhe troket në dyert e shqiptarëve. Mos ia hapni derën dështimit. Ka guximin të shkojë pas 8 vitesh dështimesh qytet më qytet prapë me projekte 3D”, tha Basha ndër të tjera.