Deputetja socialiste Luljeta Bozo ka komentuar ndryshimet në kodin rrugor të propozuara ditën e sotme në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese. Bozo deklaroi se duhet rishikuar limiti i shpejtësisë deri në 130 km në orë duke theksuar se në Shqipëri nuk ka rrugë të përshtatshme për këtë shpejtësi. Ndalur te gjobat ajo theksoi se ato janë të nevojshme duke nënvizuar se ligji gjithmonë vendoset me dhunë pasi një person që i vritet xhepi është i prirur të mos kryejë më shkelje.
“Ndryshimet në kodin rrugor më duken të drejta. Janë shtuar shumë shkeljet dhe viktimat nga aksidentet. Më duket një kohë taman për të miratuar. Asnjëherë nuk është e përsosur, gjithmonë ka vërejtje. Ne ngatërrojmë dy gjëra, kodin rrugor dhe projektimin e rrugës. Ne kemi një vend me aq shumë kthesa. Shoferët tanë e tejkalojnë shpejtësinë dhe ndodhin edhe aksidente.
Nuk duhet të nxitojmë të shkojmë te 130. Ne nuk kemi rrugë për të ecur me 130 km në orë. Kurse në zonat urbane përveç masave që duhet të marrin organet kompetente që të mos ketë ndërprerje të rrymës. Mendoj që 30-40 është shpejtësi normale. Jam edhe për këtë tjetrën që rregulli në çdo vend të botës vendoset me forcën e ligjit. Nuk vendoset rregulli duke… Kur të vret xhepi nuk e shkel më. Unë jam për gjobat. Ai që e merr gjobën nuk e shkel më sepse do paguajë nga xhepi. Nuk jam e mendimit që shteti pasurohet nga gjobat. Ligji gjithmonë vendoset me dhunë, në thonjëza. Dhuna është dhunë verbale. Është një këshillë, pastaj është gjoba”, deklaroi ajo.