Samiti i Bashkimit Europian-Ballkani Perëndimor që do të mbahet në 6 dhjetor në Tiranë do të kushtojë 50 mln lekë. Ky fond për organizimin e një prej ngjarjeve më të rëndësishme në vend, që do të sjellë në kryeqytet liderët europian, do përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, i miratuar për vitin 2022.
“Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare, në buxhetin e miratuar për vitin 2022, i shtohet fondi prej 50 000 000 (pesëdhjetë milionë) lekësh, për përballimin e shpenzimeve të organizimit të “Samitit të BE-BP”, që do të organizohet në Tiranë, në datën 6 dhjetor 2022.
2Efekti financiar, prej 50 000 000 (pesëdhjetë milionë) lekësh, të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, i miratuar për vitin 2022”, thuhet në vendim.
Në samitin që mbahet për herë të dytë brenda vitit kësaj here me Tiranën vendi pritës, mes liderëve që pritet të vijnë në kryeqytet janë presidenti i Francës, Emmanuel Macron, kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni dhe kancelari gjerman Olaf Scholz. Për kreun e qeverisë, ky është një tregues se Shqipëria pavarësisht se është një vend i vogël, ka fituar respekt në arenën ndërkombëtare. Ndërkohë, nga ana tjetër, opozita e Sali Berishës ka paralajmëruar protestë.
Samiti vjen në një moment kur Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë nisur negociatat, ndërsa Kosova pret liberalizimin e vizave dhe Bosnje-Hercegovina pret statusin e vendit kandidat. Nga ana tjetër, Serbisë po i kërkohet më shumë progres në dialogun me Kosovën për të avancuar në procesin e integrimit në BE.
Ballkani Perëndimor ka kërkuar të mos lihet vetëm nga Brukseli përballë krizës energjetike me të cilat po përballet e gjithë bota. Ndërkohë BE ka premtuar se do të përfshijë 6 vendet e BE në projekt e saj për t’iu gjendur pranë në këtë periudhë krize. /Shqiptarja.com