Në Kullën Shqiptare të Dukës

0
66
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Nga Mentor Nazarko – Konica.al

Sikur të mos ishte skandali i Presidentit të Federatës Spanjolle, Rubiales, i cili u shtrëngua të dorëhiqej nga të gjitha detyrat e larta në Spanjë dhe jashtë saj, mbase Armand Duka, nuk do të ishte bërë asnjëherë zëvendëspresident i UEFA-s, si pasardhës i spanjollit.

Ose mbase do të ishte bërë dikur kur të mbaronte mandati i zëvendëspresidentëve të tjerë, ku ai gjendet në shoqëri të mirë, me presidentët e federatave suedeze, italiane, me Boniekun e famshëm të Polonisë, etj. Votimi unanim i kreut të Federatës shqiptare brenda Komitetit ekzekutiv e parathotë probabilitetin se ai dhe mund të bëhej pavarësisht skandalit të Rubiales-it, duke qenë njëlloj treguesi i konsensusit që ka ndërtuar rreth figurës së tij në gjirin e udhëheqësisë sportive europiane.

Edhe vetëm anëtarësia në Komitetin ekzekutiv ka qenë një etapë e suksesshme në karrierën e tij, një shoqëri e nivelit të lartë ku merren vendimmarrje të rëndësishme për futbollin e kontinentit, në të gjitha kuptimet.

Mirëpo suksesi i Dukës, për të cilin më shumë u fol jashtë vendit sesa brenda, ku u trajtua si lajm kronike dhe duke përmendur madje, sesa do ta kishte rrogën, është më shumë sesa sukses personal i tij. Është sukses i Shqipërisë, që arrin kështu të peshojë në vendimmarrjen europiane sportive, qoftë duke favorizuar vendin drejtpërdrejt në organizime aktivitetesh, mbështetje të futbollit vendor, por dhe në krijim aleancash, apo shkëmbim favoresh të imagjinueshme brenda kësaj ndërmarrje të rëndësishme, jo thjesht sportive, por dhe financiare.

Madje dhe politike. Efektet e para u dukën që me organizimin e një kampionati europian moshash. Pas organizimit të finales së Kupës së konferencës, kjo ngjan arritja e re, jo thjesht për vizibilitetin e Shqipërisë futbollistike, por dhe me impakt financiar. Ndërsa e gjitha ndodh në një vit turistik të suksesshëm, atëherë efekti i arritjes amplifikohet cilësisht.

Kjo arritje personale e Dukës, në fakt, lidhet me një trend rritës të Federatës në cilësi dhe Kombëtares së meshkujve, posaçërisht. Si në lojën e pasqyrave supozohet se suksesi i Kombëtares dhe i Dukës në karrierën e drejtuesit europian duhet ta kenë ndihmuar njëri-tjetrin. Në Komitetin ekzekutiv rrallë hyjnë drejtuesit e federatave të vogla, megjithë parimin e përfaqësimit gjeografik që vlen për çdo organizatë kontinentale apo globale, apo aleancat e imagjinueshme. Federata peshon më shumë në rajon, në thithjen e lojtarëve më të mirë, apo në marrëdhëniet me klubet e tyre.

Mirëpo, përveç këtij leximi sipërfaqësor nga një laik në punë të sportit, ka dhe momente të tjera që mund të evidentohen rreth këtij suksesi. Politika do të dështojë nëse tenton të imponojë ndaj kreut të Federatës, pra në organizim apo drejtim të një federate si kjo e futbollit, që ka njëlloj autonomie dhe solidariteti me të ngjashmet, ku buron fuqia e saj. Megjithë yshtjen permanente ka politika për ta shtënë në kontroll, jo thjesht në Shqipëri, por dhe gjetkë, sa kohë që futbolli është sport popullor dhe mbledh njerëz në… tubime, apo provokon emocione të mëdha kolektive, ekonomia, apo biznesi mund të kenë sukses nëse martohen me sportin, ndërsa politika vështirë se do depërtojë.

Duka ja ka arritur me flegmatizmin, rezistencën ndaj presionit publik, mediatik, politik, me aleancat e brendshme dhe të jashtme, me mbrojtjen që i ka bërë kullës së sportit dhe biznesit që lëviz brenda dhe rreth tij, ta mbrojë kullën e vet. Për hir të së vërtetës, suksesi më i madh në historinë e futbollit shqiptar lidhet me shumë elementë, por sigurisht dhe me menaxhimin, që në rastin e Dukës ka afirmuar njëlloj thyerje të rregullit ndërsa Federatat drejtohen më së shumti nga futbollistë të shquar. Duka ka negociuar vetë me trajnerët që kanë peshën e tyre të madhe në suksesin aktual, duket se i ka dhënë autonominë e nevojshme në vendimmarrje, ka ngritur një piramidë efektive administrimi në çdo nivel dhe me xhelozi ka ruajtur distancën higjenike nga politika e të dy krahëve, posaçërisht ajo e pushtetit, megjithë grishjen e madhe që vjen prej saj.

Parë kështu, përciptazi, suksesi i tij personal dhe sportiv ka ndikuar gjithsesi në katalizimin e një ndjenje të re autentike e të fuqishme të përkatësisë kombëtare, të krenarisë për flamurin në gjithë viset ku jetojnë shqiptarët, madje dhe në diasporë.

Problemet, apo mëkatet? I zgjidhin vetë të zotët e punës, nëse gjejnë fuqi me imponuar ndryshim brenda federatës që për mënyrën si kullandriset është më shumë biznes, sesa organizatë e njëlloji tjetër. Mu për këtë, për pakufizimin e mandateve, ndikimin publik, bizneset që gjenerohen, politika e ka zili, por në rastin e Dukës tashmë dhe me emërimin e tij të fundit, thjesht duhet të heshtë ose të bashkëpunojë me të. Në kullën e tij, hyhet… me leje dhe …biletë… Kur ka. Sepse me suksesin e Kombëtares, stadiumi do të jetë gjithmonë, plot. Ndërsa, për pasardhësin Duka, nuk duket se po lodhet dhe nuk ka ngut.

Zjarr Tv Ad