Një plagosje me armë zjarri ka ndodhur në zonën e njohur si Rana e Hedhun në Shëngjin të Lezhës, të Lezhës mbrëmjen e djeshme, teksa të plagosur kanë mbetur 28-vjeçari Alebert Gjinaj dhe Gentian Nikolli, 30 vjeç.
Burimet thonë se fillimisht ka patur një sherr banal më herët mes personave të përfshirë në këtë përleshje të armatosur, ndërsa saktësuan se ata kanë qenë nën efektin e pijeve alkolike dhe në zonë janë dëgjuar fillimisht zhurma të thyrjeve të gotave dhe shisheve brenda lokalit ku po qëndronin.
Ndërkaq policia ka rrethuar zonën dhe në njoftimin e saj bën me dije se ndërsa të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetën, ka identifikuar dhe autorët.
Njoftimi i policisë
Rreth orës 22:00, në Shëngjin, në një lokal në vendin e quajtur “Rana e Hedhun” dyshohet se gjatë një konflikti të çastit, janë plagosur me armë zjarri lehtë në këmbë shtetasit A.Gj, 28 vjeç banues në Tiranë dhe G.N. 30 vjeç, banues në Thumanë, të cilët ndodhen në spital për ndihmë mjekësore, jashtë rrezikut për jetën.
Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe si rezultat i veprimeve të shpejta kanë bërë të mundur identifikimin e autorëve, konkretisht shtetasit B. C., F. C. dhe K. C., dhe vijon kontrolli i zonës për kapjen e tyre.
Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit.