“Këtu e kam absolute, vetëm mund të jetë ndonjë përjashtim i jashtëzakonshëm në botë, femër që shkruan humor, nuk ka, sepse humori është privilegj i të mençurve”.
Ishte kjo deklarata e Bujar Kapexhiut, e cila shkaktoi bujë mediatike disa ditë më parë, teksa gjatë një interviste u shpreh se humori është privilegj i të mençurve.
I ftuar ditën e sotme në ‘KAFE SHQETO’, skenaristi u shpreh se humori përfshihet tek zhanret më të vështira.
“Problemi është që thonë se Bujari merret me këtë e me atë, dhe unë në të vërtetë i kam eleminuar të gjitha këto thënie.
Unë e quaj veten që merrem më një gjë, jam në fushën e humorit dhe satirës, që normalisht janë në zhanera të ndryshëm, që ndihmojnë njëra-tjetrën për t’u vlerësuar aq sa janë për t’u vlerësuar.
Kur them që humori është një nga zhanerat më të vështira sot e që moti e kështu do të vazhdojë të jetë sepse në jetën e përditshme, që është një jetë serioze, copëza të vogla janë humoristike, të cilat duhet të dish t’i kapësh t’u gjesh këndin e vështrimit duke i vendosur ata në interes të shoqërisë në interes të progresit.
Humori është një gjë, që humoristi ka një detyrë, pra do të godasë e duhet të tallet, të stigmatizojë, të ironizojë, pra diçka që është e prapambetur, e vjetër, e papranueshme për moralin dhe ka disa gjëra që e vështirësojnë të kapurit dhe të trajtuarit e humorit.
Ka njerëz që tregojnë barsaletat dhe i tregojnë bukur, por ka dhe njerëz që dëgjojnë bukur, ka dhe njerëz që qeshin bukur e zakonisht intelektualët i kanë të treja bashkë”, tha ai.