Ministrja e Jashtme Olta Xhaçka ka marrë pjesë në punimet e Këshillit të Sigurimit në Nju Jork, ku është folur për sigurinë kibernetike. Shefja e diplomacisë shqiptare ka thënë se sulmi kibernetik ndaj Shqipërisë vitin e kaluar u orkestrua dhe u sponsorizua nga Irani.
“Dëmi u frenua, por ishte një dëshmi e brutalitetit të aktivitetit keqdashës kibernetik. Akte të tilla përbëjnë një kërcënim për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare dhe duhet të trajtohen si të tilla”, tha Xhaçka.
Më tej, ministrja e Jashtme u shpreh se Shqipëria mbështet krijimin e Programit të Veprimit (PV), që nxit bashkëpunimin dhe dialogun ndërkombëtar mbi sigurinë kibernetike.
“Të gjitha shtetet anëtare janë të detyruara të respektojnë Kartën e OKB. Duhet të promovojmë një hapësirë kibernetike globale, të hapur, të qëndrueshme dhe të sigurt. Ne të gjithë kemi një rol për të luajtur, dhe ai fillon me vendosjen dhe respektimin e rregullave të pranuara së bashku”, vijoi ajo.
Pjesë nga deklarata e Olta Xhaçkës:
“Për sulmin kibernetik në Shqipëri, kemi prova të padiskutueshme se u orkestrua dhe u sponsorizua nga Irani. Dëmi u frenua, por ishte një dëshmi e brutalitetit të aktivitetit keqdashës kibernetik. Akte të tilla përbëjnë një kërcënim për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare dhe duhet të trajtohen si të tilla.
Vetëm këtë vit, më shumë se dyzet sulme kibernetike kanë prekur 19 vende. Veprimet e Rusisë kanë shkaktuar bllokime në komunikim jo vetëm në Ukrainë, por edhe në pjesë të tjera të Evropës.
Teknologjia dhe inovacioni i pandërprerë po ndikojnë jetët tona dhe të ardhmen tonë. Na takon ne të përcaktojmë rrugën që duhet të marrë teknologjia. Në një dekadë Shqipëria ka ndërtuar gradualisht një shoqëri dixhitale në rritje.
Aktualisht, më shumë se 1200 shërbime kryesore qeveritare ofrohen online. Dixhitalizimi kërkon një hapësirë kibernetike të lirë, të hapur, të qëndrueshme dhe të sigurt. Përparimi i shpejtë teknologjik mbart gjithashtu rreziqe dhe sfida. Të shqetësuar për rritjen alarmante të sulmeve kibernetike që synojnë shtetet dhe infrastrukturat e tyre jetike.
Të gjitha shtetet anëtare janë të detyruara të respektojnë Kartën e OKB. Duhet të promovojmë një hapësirë kibernetike globale, të hapur, të qëndrueshme dhe të sigurt. Ne të gjithë kemi një rol për të luajtur, dhe ai fillon me vendosjen dhe respektimin e rregullave të pranuara së bashku.
Kjo është arsyeja pse Shqipëria mbështet krijimin e Programit të Veprimit (PV), që nxit bashkëpunimin, dialogun ndërkombëtar mbi sigurinë kibernetike. Këshilli i Sigurimit të luajë rol udhëheqës për normat që reflektojnë sjellje të përgjegjshme nga shtetet. Këshilli i Sigurimit mund të zvogëlojë rrezikun e konfliktit që rrjedh nga veprimet keqdashëse. Shqipëria mbështet një hapësirë kibernetike globale, të hapur, të lirë, të qëndrueshme dhe të sigurt”, tha Xhaçka.