Organizata joqeveritare Aktiv, me seli në Mitrovicë të Veriut, tha se drejtori ekzekutiv i saj, Miodrag Milliçeviç, është “abuzuar fizikisht dhe verbalisht” nga pjesëtarët e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës.
E kontaktuar nga REL-i, Zyra për Media në Policinë e Kosovës në Prishtinë nuk e konfirmoi rastin, por tha se “ende është duke mbledhur informacione për të verifikuar nëse diçka e tillë ka ndodhur në veri”.
Në një komunikatë dërguar mediave, Aktiv tha se incidenti ka ndodhur mëngjesin e 14 nëntorit, pranë vendkalimit kufitar me Serbinë – Jarinjë.
Milliçeviç, thuhet në komunikatë, “është ndaluar nga forcat speciale të Kosovës, është ndarë nga kolona dhe gjatë marrjes në pyetje, një pjesëtar i policisë speciale e ka goditur me grusht në bark”.
“Në të njëjtën kohë, ka pasur edhe ngacmime verbale, pasi policët i kanë bërtitur Milliçeviçit, i kanë kërkuar të heshtë dhe e kanë pyetur se përse nuk ka dokumente të Kosovës”, thuhet në komunikatën e organizatës Aktiv.
Sipas saj, Milliçeviç, gjatë gjithë procedurës – nga ndalimi deri në marrjen në pyetje – “ka bashkëpunuar plotësisht me policinë” dhe “nuk ka bërë asgjë për të nxitur reagimin e dhunshëm të policisë”.
Tensionet në veri të Kosovës janë rritur, prej se Qeveria e Kosovës ka nisur më 1 nëntor zbatimin e planit të saj për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe.
Besohet se rreth 9.000 makina me targa të tilla qarkullojnë në këtë pjesë, ku popullata shumicë është serbe dhe kontrollohet në masë të madhe nga Beogradi zyrtar.
Qeveria e Kosovës kërkon që ato të riregjistrohen me targa RKS, apo Republika e Kosovës, por Serbia kundërshton, duke kërkuar targa neutrale ndaj statusit të Kosovës.
Si pasojë e rritjes së tensioneve, serbët e veriut kanë dhënë dorëheqje nga institucionet e Kosovës.
Aktiv tha se “goditja në bark” e Milliçeviçit është “brutalitet i pastër”.
“Përdorimi i paprovokuar [dhe] i tepruar i forcës nga njësitë speciale të policisë tregon për ambientin e dëmtuar të sigurisë në veri të Kosovës dhe për veprimet e pakontrolluara të pjesëtarëve të policisë, që kërcënojnë thellimin e krizës dhe përshkallëzimin e mundshëm të mjedisit të sigurisë”, tha Aktiv.
Aktiv e përshkruan veten si organizatë që merret me promovimin e demokracisë dhe të dialogut në shoqëri.
Ajo paralajmëroi se do të ngrejë kallëzim ndaj pjesëtarëve të forcave speciale në Inspektoratin Policor të Kosovës dhe në të gjitha organet kompetente./ Marrë nga REL