Gjykata e Posacme e Shkallës së Parë për Korrupsion dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) ka pranuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme dhe ka pushuar çështjen për padinë e presidentit Ilir Meta ndaj ish-kreut të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani. Në fjalën e tij Dvorani tha se çështja është pushuar dhe se ai nuk ka asnjë përplasje me asnjë institucion (duke iu referuar Metës) dhe se ushtron vetëm detyrën e tij.
“Unë nuk kam përplasje me asnjë person thjesht ushtroj detyrën jam gjyqtar. Është jashtë realitetit që kam përplasje. Kush mendon që ka përplasje i ka për vetë, unë s’kam me askënd. Është e drejta e Metës të ketë interpretim mbi faktet dhe unë s’jam aksush që ta gjykoj apo paragjykoj. Janë institucionet ata që vendosin. Gjyqet nuk bëhen në media, ka ikur koha e gjyqeve popullore, por nga ata që janë aty”, tha ai ndër të tjera.
Për këshilltarin ligjor të Presidentit Ilir Meta, Bledar Dervishaj, vendimi i dhënë është i padrejtë. Ai tha se do e ankimojnë këtë vendim.
“Deri më tani Presidenti i Republikës ka respektuar sekretin e Prokurorisë. Kërkesa për pushimin e kësaj cështje jemi njoftuar në fillim të nëntorit. GJKKO vendosi pushimin, por ne kërkuam mosakordim. Gjykata na njoftoi se vendimi i zbardhur do të bëhet me dije dhe tani presim çdo të ndodhë. Do e ankimojmë vendimin. Është pushuar vendimi për çështjen penale të vitit 2020, ku ishin shumë të pandehur”, tha Dervishaj.
Kujtojmë që rreth një vit më parë, presidenti Meta paditi Dvoranin duke e akuzuar për veprimtari kriminale dhe shkelje të Kushtetutës në procesin e miratimit të ndryshimeve ligjore për betimin e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë. Meta e akuzoi Dvoranin se ka dërguar dy herë në të njëjtën ditë listat e kandidatëve për dy vende vakante, ndërsa kërkoi nga Komisioni i Venecias shqyrtimin e shkeljeve të pretenduara për emërimet.