Pas Xhamisë së Namazgjasë dhe spitalit të Fierit, Erdogan heq një tjetër investim të fortë në Shqipëri, gylenistët “rrëzojnë” kompaninë e fluturimeve “Air Albania”

0
23492
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Presidenti i Turqisë, Rexhep Tayyip Erdogan ka bojkotuar kryeministrin Rama dhe këtë e tregojnë qartë lëvizjet e tij të fundit që shfaqin hapur krisje të mëdha të raporteve mes Tiranës dhe Ankarasë. Sinjali i parë i qartë është “Xhamia e Madhe e Namazgjasë”. Erdogan në Janar paralajmëroi se do të ishte i pranishëm në inaugurimin e saj në fund të Ramazanit, por një gjë e tillë nuk ndodhi. Presidenti turk nuk erdhi dhe xhamia vazhdon të mbetet peng nga Erdogan. Sinjali i dytë ishte kur kryeministri Rama njoftoi një vizitë pak muaj më parë në Turqi dhe Azerbajxhan. Por ndërsa vizita e shefit të qeverisë shqiptare në Azerbajxhan u pasurua gjerësisht në media dhe rrjetet sociale, nuk ndodhi e njëjta gjë me vizitën e Ramës në Turqi. Ky terr informativ, shtoi dyshimet se presidenti Erdogan i mbylli derën dhe nuk e priti në Stamboll. Sinjali i tretë është spitali i Fierit. Nga raportimet në media dhe denoncimet nga qytetarë, bëhet me dije se mjekët turq kanë braktisur Spitalin e Fierit pas një urdhri të Erdogan. Sinjali tjetër  është bojkotimi total që i bëri Erdogan Shqipërisë në dy vizitat e fundit zyrtare në Ballkan. Por goditja përfundimtare ka ardhur me heqjen e një tjetër investimi turk, atë të kompanisë së fluturimeve “Air Albania”. Qendra Kombëtare e Biznesit (QKB) ka pezulluar aktivitetin e shoqërisë së fluturimeve “Air Albania”, pasi kjo e fundit nuk ka deklaruar pronarët përfitues. Të gjitha këto goditje për Ramën kanë ardhur pasi Erdogan i kishte dhënë ultimatum kryeministrit të largonte nga vendi gylenistët që ka futur në shëndetësinë private e në media, por pas mospërmbushjes së kërkesës së këtij të fundit, marrëdhëniet mes tyre janë prishur. Edhe publikisht i gjendur në Shqipëri, Erdogan ia ka dhënë të qartë mesazhin Ramës: Nëse nuk burgos gylenistët, marrëdhëniet Turqi-Shqipëri do të thyhen.

QKB pezullon investimin e Erdogan

49 për qind të aksioneve në kompaninë e “Air Albania” zotërohen nga “Turkish Airline” dhe plotësimin e flotës me avionë e ka marrë përsipër pikërisht kjo kompani. Kohë më parë, investimin vetë Edi Rama e ka cilësuar të pamundur pa ndihmën e Erdogan. “Pa iniciativën dhe mbështetjen bujare të Presidentit Erdogan s’do ishim këtu. Ama, pas marrjes së vendimit rruga s’ka qenë e lehtë”, deklaroi kryeministri pak kohë më parë. Sipas njoftimit të QKB-së në ekstraktin e kompanisë: “Bazuar në nenin 15/1 të ligjit Nr. 6/2022 “Për Disa Ndryshime dhe Shtesa në Ligjin Nr.112/2020, Për Regjistrin e Pronarëve Përfitues”, i ndryshuar, QKB për subjektet raportuese, të cilat kryejnë shkeljet e parashikuara në pikën 4 të këtij neni, do të ndryshojë statusin nga “AKTIV” në statusin “PEZULLUAR” deri në pagesën e gjobës dhe regjistrimin e të dhënave përkatëse për pronarët përfitues”. Statusi i kompanisë është deklaruar i pezulluar që nga data 1 shtator. Ligji “Për regjistrin e pronarëve përfitues”, parashikon që të gjitha subjektet raportuese të regjistruara në Republikën e Shqipërisë kanë detyrimin e regjistrimit të pronarëve përfitues në Regjistrin e Pronarëve Përfitues. Afati fillestar ishte data 30.6.2021, por që më pas u shty deri në 30 qershor të këtij viti për shkak të problemeve që u hasën me zbatimin e tij. Pra gylenistit kanë rrëzuar një tjetër investim turk në Shqipëri.

Por si lindi “Air Albania”?

Air Albania u krijua në vitin 2018, si një kompani kombëtare e fluturimeve, ku shteti, përmes “Albcontrol” ka 10% të aksioneve, “MDN INVESTIMENT”, e krijuar po në vitin 2018, ka 41% të kuotave dhe “TÜRK HAVA YOLLARI A.O.” 49%. Aksionere të “MDN INVESTIMENT”, me nga 50% secila janë Najada Idrizi dhe Rejana Idrizi, sipas ekstraktit në QKB, të cilat i morën gradualisht aksionet nga Sinan Idrizi dhe Ron Yeffet përgjatë vitit 2018. Sipas Autoritetit të Aviacionit Civil, në fund të vitit 2021, “Air Albania” zinte rreth 12% të tregut të fluturimeve sipas numrit të pasagjerëve, duke u renditur e dyta, pas Wizz Air, me 42%. Ndërkohë, vetëm gjatë ditës së djeshme, sipas të dhënave nga faqja zyrtare e Tirana International Airport, kompania kishte 10 fluturime në nisje, në Stamboll, Zyrih, Londër, Piza Bolonja, Antalia, Athinë, Milano, Romë. Air Albania ka dorëzuar në QKB vetëm bilancin e vitit 2018, kur nuk kishte akoma aktivitet, ndërsa nuk është në QKB as bilanci i 2019-s dhe 2020-s, afati i të cilëve ka përfunduar me kohë. Bilanci i vitit 2021 ka kohë të dorëzohet deri në 15 shtator. Sipas ligjit, mosregjistrimi fillestar i të dhënave për pronarin përfitues të tij brenda 40 (dyzet) ditësh pas përfundimit të afatit të përcaktuar dënohet me gjobë në vlerën 600 000 (gjashtëqind mijë) lekë./sot.com

Zjarr Tv Ad