Kryetari i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi thotë se Rama nuk mund t’i japë leksione demokratëve. Në një reagim, pas deklaratave të kreut të qeverisë, i cili u jepte këshilla demokratëve, Patozi shkruan se sado të dëshpëruar të jenë demokratët, ata nuk kanë nevojë për sugjerimet e kryeministrit.
Sipas tij Rama “duhet të shikojë anijen e tij, e cila fut ujë nga të gjitha anët dhe mund të fundoset edhe pa pasur nevojë për topat e kundërshtarit.”
“Mbaj vendin tënd, se nuk pret kush prej teje t’u tregosh rrugën demokratëve se çfarë duhet të bëjnë me partinë dhe të ardhmen e tyre. Sado të dëshpëruar dhe të pashpresë të ngjajnë sot, për shkak të papërgjegjshmërisë së atyre që i udhëhoqën në përleshjet e djeshme, ata nuk kanë nevojë për sugjerimet e tua. Kurseji leksionet për demokratët e zhgënjyer dhe hidhi një sy anijes së lodhur të qeverisë tënde, e cila fut ujë nga të gjitha anët. Aq sa mund të fundoset edhe pa pasur nevojë fare për topat e kundërshtarit.”, shkruan nder te tjera Patozi.