Rivali i Lulzim Bashës në garën për kryetar të Partisë Demokratike, Gjergj Hani shprehet se liderët e 3 grupimeve të partisë më të madhe opozitare duhet të reflektojnë në mënyrë që të vijë bashkimi. Ai tregon se hyri në garë, pasi nuk e bindte rikthimi i Bashës.
Në një intervistë për “Ora News” dhënë gazetares Mola Luku, Gjergj Hani nuk ishte i bindur nëse Lulzim basha duhej rizgjedhur si kryetar i Partisë Demokratike, kjo është edhe arsyeja që ai hyri në garë.
Gjergj Hani: “Tentativa ime ishte thjesht një kryengritje morale. Rikthimi i z. Basha nuk më rezultoi bindës”.
Por edhe pse pranon se e priste rezultatin e 29 korrikut, Gjergj Hani, tregon se vijoi garën me bindjen se demokratët duhet të shihnin një frymë të re.
Gjergj Hani: “Nuk e konsideroj një humbje të madhe. Me aq mundësi sa kisha për të pasqyruar fushatën elektorale, më votuan gati 11 për qidne demokratëve, ndonëse me mundësi shumë të kufizuara. E prisja një gjë të tillë dhe isha i vetëdijshëm. Zgjodhën alternativën”.
Sipas tij pasiguria e demokratëve, i mban brenda kornizave të vjetra.
Gjergj Hani: “Është mungesa e qartësisë politike, mungesa e vizionit politik”.
Sa i përket bashkimit të demokratëve nën një logo dhe vulë, për të ka vetëm një zgjidhje, reflektim dhe pranim i gabimeve nga drejtuesit e të tre grupimeve.
Gjergj Hani: “Alternativa është vetëm një dhe së pari duhen thënë të vërtetat. Dmth, i ke mundësitë edhe të bësh karrierë politike, por edhe të bësh një mea culpe për atë se çfarë ka ndodhur”.
Sipas Hanit, korrupsioni dhe krimi nuk kanë lindur me ardhjen e Ramës në Pushtet, por mazhoranca e tanishme i ka forcuar.
Gjergj Hani: “Gjendja aktuale ku korrupsioni është sheshit, vjedhje masive, shkelje e të drejtave të njeriut, mohimi i së drejtës nuk është se ndodhën në një ditë. Nuk mundet t’ia importojmë të gjitha këto qeverisjes së z. Rama”.
Sa i përket vazhdimësisë së tij, kandidati Gjergj Hani u shpreh se do të vijojë kontribuimin e tij në opozitë.