Këshilltarët e djathtë bashkiakë, panë nga afër bllokimin e rrugëve dhe trotuareve në një nga hyrjet kryesore të kryeqytetit, në Rrugën e Elbasanit. Leonard Olli denoncoi braktisjen që qeveria dhe bashkia i kanë bërë qytetarëve duke mos pastruar rrugët të cilat kanë shkaktuar dhjetëra aksidente. Mosmarrja e masave paraprake dhe vazhdimi i kësaj situate edhe gjatë ditës së sotme, kanë vënë në rrezik jetën e qytetarëve dhe pronat e tyre.
“Pak minuta reshje dëbore dhe shumë pak centimetra kanë mjaftuar për të bllokuar gjithçka në kryeqytetin e Shqipërisë. Janë këto kushte që i nxorën bojën bashkisë virtuale dhe qeverisë së fasadave. Sot shumë nga kolegët tanë kanë monitoruar që në orët e para të mëngjesit trafikun në Tiranë dhe j’ua them me garanci sikurse e ka pasqyruar dhe media. I gjithë qyteti ishte i ngrirë”, u shpreh Olli.
Më tej ai theksoi se jo vetëm që nuk u mor asnjë masë për të hedhur pak kripë sa për të penguar ngrirjen e të gjithë akseve qendrore dhe sekondare në kryeqytet, dhe që qytetarët u përpoqën t’i zgjidhnin vetë, Veliaj, stafi i tij dhe sigurisht shefi Rama flinin gjumë dhe gëzonin ëndrrat se gjerat shkojnë shumë mirë.
“Vetëm pak centimetra borë vunë jetën dhe pronat e qytetarëve në rrezik. Me dhjetëra aksidente automobilistike. Në orët e natës, mungesa e shtetit, mungesa e bashkisë është bërë shkak për dhjetra aksidente, është bërë shkak për paralizimin e plotë të transportit publik. Mungesa e bashkisë dhe papërgjegjshmëria kriminale e kryebashkiakut Veliaj gjunjëzoi kryeqytetasit në kushtet e një moti aspak ekstrem. Ndërkohë shumë jetë janë vënë në rrezik nga mungesat e urgjencave spitalore sepse mjetet e transportit të urgjencave nuk mundën të qarkullonin”, tha ai.