Përgjaket Shkodra/ Dinamika e atentatit në mes të ditës me 3 të vrarë e një të plagosur! Kush janë viktimat Arlind Bushati dhe Hamza Lici, vëllai i rivalit të Bajrajve!

0
120
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Në një pritë të mirorganizuar, në “Dobraç” të Shkodrës, në rrugën kryesore që lidh qytetin me Malësinë e Madhe, dy automjete i prenë rrugën një “Mercedes”- i. U qëllua me breshëri kallashnikovi mbi të, për pasojë plumbat bien mbi drejtuesin e mjetit.

Makina devijon dhe përplaset fillimisht me një motor në të cilin udhëtonte një çift dhe më pas në murin rrethues të një ndërtese. Në mjetin e bërë shoshë, shoferi gjendet i pajetë, ndërsa pasagjeri në grahmat e fundit, ndërsa pamjet nga përplasja e motorit janë tronditëse. Gruaja Flutura Basha humbi jetën në vendngjarje, ndërsa i shoqi Bashkim Basha ndodhet në gjendje të rëndë.

Për më shumë se një orë, viktimat dhe dy të plagosurit mbetën në rrugë, ndërsa policia mobilizohej të hynte në zonën e larë me gjak e plumba.

Shënjestër e asaj masakre ishte Hamza Lici, vetëm 23 vjeç. Me të në makinë u gjend edhe Arlind Bushati, i cili ka marrë një plumb në kokë dhe ka ndërruar jetë në spital. Ndërsa Bashkim Basha që po drejtonte motorin në momentin kur dy makinat hapën zjarr mbi mjetin ku udhëtonin dy të rinjtë është në gjendje kritike për jetën. Rreth 3 orë pas ngjarjes, policia ka marrë informacion që është gjendur një makinë e djegur në zonën e Grudës së Re, brenda së cilës u gjetën edhe dy kallashnikovë.

Policia, si përherë, humbi gjurmët e atentatorëve. Më pas mblodhi gëzhojat në vendin e ngjarjes, siç tha se ka mbledhur edhe pamjet filmike. Burrë e grua, Bashkim dhe Flutura Basha, po udhëtonin me motor kur mjeti i Licit është përplasur me ta, duke i marrë jetën gruas në vend, ndërsa Bashkimi është dërguar në spital, por mjekët kanë dëshmuar që është në gjendje të rëndë. Ndërsa Bushati për pak orë ishte në gjendje kritike, për shkak të plumbit në kokë!

POLICIA PAS NGJARJES

Arlind Bushati, 32 vjeç, është djali i Xhemal Bushatit, ish-kandidatit për kryetar bashkie në qytetin e Shkodrës. Tri javë më parë ai shkoi në Policinë e Shkodrës dhe dëshmoi se dy persona kanë dashur ta vrasin në pedonale. Ai denoncoi se ndjehej i kërcënuar, por policia nuk bëri me dije se kush kanë qenë dy personat që e kanë kërcënuar. Më pas, jo nga policia, por nga dëshmitarë okularë u tha se në fakt dypersona, relativisht të rinj, kanë nxjerrë armën ta ekzekutonin, por arma është bllokuar e për pasojë Arlindi mundi të shpëtonte, por jo në pritën fatale të pasdites së djeshme.

Dje, Arlindi ka qenë duke udhëtuar drejt Koplikut me Hamza Licin, djalin e Mustafa Licit, të vëllanë e Ibrahim Licit. Ata mësohet se kanë qenë në një automjet me targa kroate, ndërkohë që nuk dihet se cili ka qenë itinerari i saktë i tyre. Prita është realizuar në mes të rrugës kryesore, ku për fatin e keq të tyre, aty po kalonin edhe çifti Basha. Hamza Lici, emri i të cilit u bë i njohur vetëm pak kohë më parë kur doli publikisht në mbrojtje të vëllait të tij, Ibrahimit, ndërroi jetë në vendin e ngjarjes, duke u bërë kështu viktima e radhës e përplasjeve të përgjakshme mes grupeve kriminale të qytetit të Shkodrës.

Policia ka treguar vetëm detajet në lidhje me identitetet e dy viktimave dhe dy të plagosurve, ndërsa u tha se ka kryer edhe një kontroll në mjetin e shënjestrave. Brenda këtij mjeti u gjetën edhe armë zjarri, por ende nuk dihet nëse dy personat-shënjestra kanë mundur t’i përdorin ato përballë pritës me kallashnikovë.

Policia e Shkodrës doli mbrëmë me njoftimin në lidhje me tri pistoletat e gjetura në makinën e bërë shoshë nga plumbat, ku u vra Hamza Lici. U tha se në vendin e ngjarjes u sekuestruan pamjet filmike, që në drejtim të Shkodrës u nisën dy grupe të RENEA-s, që në krye të grupit hetimor u vendosën ekspertë dhe drejtues policie, por asnjë e dhënë nuk doli për rrugën që kanë bërë vrasësit, të cilët e dogjën njërën nga makinat, që u tha se ishte tip “Range Rover” në fshatin Golem të Grudës së Re.

Dy të mbijetuarit e asaj ngjarjeje nuk janë në gjendje të japin dëshmi, ndërsa përplasjet shfarosëse mes disa familjeve në Shkodër janë të njohura për një pjesë të mirë të opinionit publik. Grupet e RENEA-s kanë hyrë mbrëmë në lagjen “Dobraç”, aty ku zona njihet si bastioni i Bajrajve, fisit që kanë deklaruar publikisht hasmërinë me fisin Lici prej shumë e shumë vitesh. Madje, shkodranët që e njohin mirë këtë përplasje dhe zonat e influencës, përgjatë gjithë pasdites së djeshme kanë shprehur habi se si Hamza Lici kishte guxuar të hynte në lagjen e “Bajrajve”, ndonëse ata po kalonin në një rrugë kryesore!

PËRPLASJET GJAKËSORE

Fisi Lici njihet për përplasjet me fisin e Bajrajve dhe Bilalëve në qytetin e Shkodrës. Përplasjet e dhunshme prej rreth një dekade kanë sjellë më shumë se 20 humbje jete, ndërkohë që thuhet se hasmëria mes tyre i ka bazat tek influencat në tregjet e qytetit të Shkodrës. Megjithatë, thuajse asnjë prej vrasjeve të ndodhura nuk kanë një autor pas hekurave. I vetmi i arrestuar në të gjithë historinë e përgjakshme mes palëve është një fëmijë 15 vjeç, i cili tha se ishte dëshmitar i një vrasjeje në zonën e Livadheve. 15- vjeçari dëshmoi që ishte i pranishëm në vrasjen e Endri Mustafës në një parcelë droge dhe se ekzekutimin e tij e kishte kryer Ibrahim Lici.

Ngjarja ndodhi në majin e para tre vjetëve, ndërkohë që Lici e mohoi autorësinë duke nxjerrë edhe alibi. Djali, që u dyshua edhe si personi që e nxori në atë pritë Mustafën, baba të tre fëmijëve, u tërhoq nga dëshmia duke i thënë policisë dhe prokurorisë së Shkodrës që i kishte gënjyer. Për pasojë, prokuroria dhe gjykata e dënuan 15-vjeçarin, por nuk hetuan më për vrasjen e të riut, duke lënë shteg të hapur për vijimin e hakmarrjes me të vrarë mes palëve. Ibrahim Lici u akuzua për një mori krimesh mes të cilëve edhe për ekzekutimin e Mustafës.

Për këtë ngjarje u shpall në kërkim dhe u arrestua në Turqi, por ai refuzoi ekstradimin duke i kërkuar strehim drejtësisë turke, pasi në Shqipëri i rrezikohej jeta dhe se nuk kishte asnjë garanci që procesi do të ishte i drejtë. Emri i Licit doli në sipërfaqen e sundimit të të fortëve të Shkodrës në vitin 2017, kur ai ishte jo më shumë se 24 vjeç. U tha se vinte gjoba ndaj bizneseve dhe në atë kohë policia zhvilloi opera-  cion duke arrestuar disa persona, mes tyre edhe Ibrahim Licin, por që më pas u lirua.

Ibrahim Lici ka qenë i arrestuar së bashku me vëllanë e tij, Muhamed Lici, në mars të 2017-ës, pasi u tha se drejtonin një grup kriminal, që u vendosnin gjoba tregtarëve të Zdrales në Shkodër. Muhamet Lici u dënua me 13 vite burg, ndërsa gjykata e la të lirë Ibrahim Licin. Po këtë periudhë nis saga e përplasjeve. Një prej tyre me fisin Bajri dhe Bilali, ish-miq të Licëve. Dhe gjërat u përkeqësuan së tepërmi kur Astmer Bilalit, i arrestuar prej disa vitesh, i vranë babanë dhe xhaxhanë në Shkodër. U dyshua për fisin Lici, por nuk u provua asnjëherë. Seritë e konflikteve mes bandave në këtë qytet kanë prodhuar që nga 2017 të paktën 20 të vrarë deri tani dhe dhjetëra atentate. Më e fundit e përplasjeve ishte vrasja pas futjes në kurth të Endri Mustafës në vitin 2021 te lagja “Livadhet”.

Policia shpalli në kërkim Ibrahim Licin, por ky i fundit tha se kishte alibi dhe se vrasjen e kishin kryer Bilalët, duke ia hedhur atij me inskenim fajin. Sipas policisë, Lici është autori kryesor i atentatit ndaj vëllezërve Astrit dhe Brahim Bilali, babai dhe xhaxhai i kampionit të boksit Astmer Bilali, ngjarje kjo e ndodhur në datën 30 mars të 2019. Ata u ekzekutuan në portën e shtëpisë me breshëri kallashnikovi dhe ngjarja u hetua si përplasje mes bandave rivale në Shkodër. Astrit Bilali, i cili mbeti i vdekur së bashku me të vëllanë e tij me 30 mars 2019, është babai i Astmer Bilali, ish-kampionit boksit i arrestuar si pjesë e grupit “Bajri” në Shkodër. Astriti ishte biznesmen i njohur në Shkodër dhe në qytet ai identifikohej për pasionin e tij për kuajt së bashku me vëllain Brahimin, i cili ishte kryetar i shoqatës “2 Prilli”. Si nisën përplasjet mes fiseve Lici dhe Bajri dhe saga e përgjakshme që nga 2018? Krimi është vijim i përplasjeve mes dy grupeve Lici dhe Bajri në Shkodër, përplasje që kanë regjistruar disa viktima. Gjithçka dyshohet se ka nisur që prej atentatit në janar të 2018 ndaj biznesmenit Lulzim Kulla.

SHPËRTHIMI TE TREGU

Shpërthimi i telekomanduar shkaktoi tetë persona të plagosur, mes të cilëve dhe Kulla. Më 18 qershor, u vra në servisin e tij teksa po riparonte brava makinash shtetasi Mehdi Kavaja, vrasje e dyshuar për hakmarrje. Ende ajo ngjarje është pa autor, ndërsa riparuesi i bravave u qëllua me plumb në kokë, duke mbetur i vdekur në vend. Më 15 korrik të vitit të 2018, poshtë banesës që kishin me qira ekzekutohen çifti Boran Bërçana, ish-polic dhe Silvi Ndoci, ndërsa bashkë me ata në makinë ndodhej edhe fëmija 3 vjeç, që u shpëtoi mrekullisht plumbave.

Ish-polici Bërçana dyshohej se kishte lidhje me grupin “Bajri”, që aktualisht janë të arrestuar dhe po ashtu ishpolici Bërçana dyshohej se kishte lidhje në atentatin ndaj Lul Kullës në janarin e 2018- ës dhe vrasja dyshohet se është kryer nga fisi Lici në Shkodër, që kanë lidhje me Lul Kullën, duke qenë se është dhëndri i tyre. Më 10 gusht të 2018-ës vritet Fatbardh Lici, pjesëtar i familjes Lici, vëllai i të fortit Sokol Lici dhe anëtarit të Këshillit Bashkiak të Shkodrës, Mustaf Lici. Kjo vrasje dyshohet se erdhi si hakmarrje nga fisi Bajri, pas vrasjes së ish-policit Bërcana.

Më 23 gusht zhduken shtetasit Agron Mollaj dhe Gëzim Hysa, nip dhe dajë, dhe ende sot nuk janë gjetur. Këta dy shtetas dyshohet se kishin lidhje me fisin Lici, ndërsa mendohet se pasi janë zhdukur, janë vrarë. Pa kaluar shumë ditë, vjen vrasja e Arjan Ferracakut, i cili u qëllua teksa ndodhej me kalin e tij në zonën e Livadheve, më 1 shtator të vitit të 2018. Arjan Ferracaku, pak minuta para se të vritej, kishte komunikuar me Astrit Bilalin dhe ky i fundit e kishte thirrur që të dalë me kalë, pasi Astriti do shoqëronte disa turistë nga Kosova në Liqenin e Shkodrës.

Më 14 nëntor po më 2018 vritet Fatos Ferracaku, kushëri i Arjan Ferracakut. Fatos Ferracaku u vra në mes të ditës, teksa po shiste peshk në lagjen “Rus”. Më 20 mars 2019 ndodh një tjetër vrasje, teksa ekzekutohet me 20 plumba Ferdinand Polia, por që është një vrasje që është zbardhur nga Policia dhe nuk ekziston asnjë lidhje me përplasjet e grupeve Bajri-Lici, por me disa ngjarje të ndodhura në Itali, ku viktima ka qenë pjesë e një grupi kriminal atje, 9 vite më parë.

Në shtator të 2019, pas fillimit të serisë së krimeve, policia ndërhyri duke arrestuar anëtarët e dyshuar të grupit kriminal “Bajri”. 12 persona përfshi Astmer Bilalin, u arrestuan në Shqipëri, Holandë, Belgjikë e Spanjë.

/Gazeta Panorama

Zjarr Tv Ad