Një prej të ndaluarve në qytetin e Vlorës, gjatë aksionit për kapjen e autorëve të sulmit me armë ndaj televizionit Top Channel, është ish-dhëndri i viktimës Pal Kola.
Dy personat u ndaluan gjatë kontrollit të efektivëve “Shqiponja” rreth orës 03:00 pas mesnate, pasi dhanë dëshmi kontradiktore.
Sipas “Ora News”, një prej tyre është Roberto Papçi nga qyteti i Shkodrës.
Roberto Papçi, është ish-dhëndri i Pal Kolës nga Bicaj i Pukës dhe se dy vite më parë është divorcuar nga vajza e njeriut që mbeti viktimë në parkimin e televizionit “Top-Channel”.
Sipas burimeve të policisë, çifti ka pasur konflikte për ndarjen dhe kujdestarinë e fëmijëve, por deri në këtë fazë të hetimit kjo mbetet vetëm si pistë për t’u hetuar më tej.
Roberto Papçi është ndaluar në Vlorë së bashku me një shokun e tij nga qyteti i Shkodrës.
“Ora News” raporton se ndalimi i tyre është kryer vetëm për verifikim, por në orët e drekës policia kriminale ka urdhëruar transferimin e Roberto Papçit dhe shokut të tij në ambjentet e Drejtorisë së Policisë Tiranë.
Para oficerëve të policisë, Papçi ka dhënë dëshmi të shkurtër, duke treguar se ka shkuar në Vlorë për qejf.
Ndërkohë të dyve personave u është bërë testi i faktorëve plotësues, me qëllim gjetjen e grimcave të barutit të djegur në duar dhe rrobat e tyre. Deri tani rezultati i kësaj analize nuk ka dalë, ndërsa atyre u janë sekuestruar edhe katër telefona që pritet të analizohen.