Presidenti Ilir Meta ka uruar homologun e tij italian duke theksuar se marrëdhëniet mes dy vendeve do të fuqizohen edhe më shumë.
Mesazhi
I nderuar Zoti President, Shkëlqesia Juaj, Sergio Mattarella
I dashur mik,
Në emër të popullit shqiptar dëshiroj të shpreh sërish mirënjohjen ndaj popullit italian për mikpritjen e ngrohtë të komunitetit arbëresh në Itali duke vlerësuar e respektuar identitetit kombëtar e traditën shpirtërore, gjuhësore e kulturore dhe duke lehtësuar mirëintegrimin e tij të natyrshëm në shoqërinë italiane.
Njëkohësisht, i nderuar Zoti President, gjej rastin t’Ju falenderoj Ju dhe popullin italian dhe autoritetet qendrore dhe lokale të vendit Tuaj për ndihmesën e vyer ndaj shqiptarëve.
Shpreh garancinë që vendet tona, si dy vende anëtare të NATO-s, do të vijojnë bashkëpunimin dhe kontributin në sigurinë rajonale e më gjerë, veçanërisht në kuadër të OKB-së, gjatë mandatit dyvjeçar të Shqipërisë, si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit.
Dëshiroj të shpreh mirënjohjen për mbështetjen e pakursyer dhe të vazhdueshme që Ju dhe vendi Juaj i keni dhënë Shqipërisë dhe të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Ju lutem pranoni, i nderuar mik, shprehjen e konsideratës sime më të lartë.