Sërish tentativë për të trafikuar lëndë narkotike nga Shqipëria drejt Italisë.
Në portin e Durrësit, mbrëmjen e djeshme, e martë, janë sekuestruar rreth 2 kilogramë e 330 gramë heroinë.
Gjatë këtij operacioni janë vënë në pranga Laureta Lama 38 vjeçe dhe Bashkim Hasani 67 vjeç, banues në Tiranë.
Gjithashtu është shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e 29-vjeçarit E.Ç., banues në Tiranë.
Në portin e Durrësit, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative nga policia, gjatë kontrollit të ushtruar në tragetin e linjës Durrës-Bari, në dhomën ku ishin akomoduar për udhëtim të arrestuarit, në valixhen e Laureta Lamës, u gjet një çantë dore, në brendësi të së cilës, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 4 pako të mbështjella me celefon, me peshë rreth 2 kg e 300 gr lëndë narkotike heroinë.
Noa.al mëson se gruaja punonte si shitëse në një dyqan veshjesh në Tiranë, ndërsa Hasani ishte pronari i saj.
Ndërkohë i shpalluri në kërkim është personi i cili i kishte shoqëruar të dyshuarit deri në portin e Durrësit dhe që mendohet të jetë i përfshirë.
Ndaj të dyshuarve vijojnë ende hetimet, ndërkohë që materialet i’u referuan Prokurorisë së Krimeve të Rënda Tiranë për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve” në bashkëpunim, e mbetur në tentativë.