Një artikull i kohëve të fundit nga Maximillian Hess në revistën “Foreign Policy” tërhoqi vëmendjen e shumë vëzhguesve të Turqisë, përfshirë edhe mua. Ai deklaronte ndër të tjera se presidenti turk Recep Tayyip Erdogan është një personazh i bezdisshëm, dhe ka të ngjarë të mbetet i tillë.
Por sipas Hess është në interesin e Perëndimit që ai të jetë në anën e tij dhe jo të Rusisë, në mënyrë që të dobësohet Putini dhe të garantohet mbijetesa e Ukraina si shtet. Mundësitë janë aty, dhe nuk do të ishte një lëvizje e zgjuar që Perëndimi të mos provonte.
Logjika e artikullit, mbështetet në premisën se Erdogan është një aleat problematik, por duke pasur parasysh gjithçka që po ndodh, ne duhet të gjejmë një mënyrë për të punuar me të. Përpjekja për të ulur tonet me një aktor keqdashës, nuk duhet të jetë standardi që synon Perëndimi në përpjekjen për të arritur objektivat e tij. Dhe kjo për një arsye shumë të thjeshtë: kjo qasje nuk do të funksionojë.
Herë pas here, ka analiza sipërfaqësore që mbështetin gjetjen e mënyrave për të bashkëpunuar me Turqinë e Erdoganit, pavarësisht vetë Erdoganit. Ashtu si Hess, edhe ata përdorin një supozim të thjeshtëzuar, por plot me të meta, sipas të cilit Turqia është shumë e rëndësishme si partnere, dhe aleate, për ta shpërfillur.
Analiza të tilla janë shtuar sidomos që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës, duke argumentuar se nuk duhet të lëmë asnjë gur pa lëvizur, për të dëmtuar aspiratat revizioniste të Vladimir Putinit, të cilat përveç sigurisë së aleatëve tanë evropianë, kërcënojnë vetë thelbin e rendit ndërkombëtar liberal, raporton abcnews.al.
Unë nuk jam kundër arsyetimit të fundit, por mënyra për ta arritur këtë qëllim nuk po i zbut raportet me Erdoganin. Gjetja e një mënyre për të kënaqur synimet e Erdogan, dhe më pas hartimi i një kursi të përbashkët për ta larguar Turqinë nga Rusia dhe rikthyer atë në krahun perëndimor, thjesht nuk është realiste.
Ndërsa unë do të doja vërtet që Turqia të rikthehet të jetë një partnere e besueshme dhe e përgjegjshme brenda arkitekturës perëndimore të sigurisë, kjo gjë nuk është e arritshme me Erdoganin. Thënë thjesht: kur diskutohet se si duhet të sillemi me Turqinë e Erdoganit, nuk ka asnjë gur që nuk është përdorur deri tani, dhe asnjë m ënyr ë e re që duhet menduar.
Gjetja e një mënyre për të kënaqur interesat e Erdoganit, do të kërkonte jo vetëm që Perëndimi të bëjë kompromis mbi vlerat e tij, por do të rrezikonte sigurinë dhe stabilitetin e aleancës perëndimore. Dhe unë gjykoj se arsyeja për këtë fshihet tek nj ë listë e gjatë aktesh skandaloze të Erdoganit, të cilat nuk mund dhe nuk duhet të anashkalohen dhe as të harrohen.
Ndër shembujt e dukshëm në këtë aspekt është konflikti në Siri. Këtu Erdogan punoi pa u lodhur për të minuar synimet e sigurisë së bashkësisë ndërkombëtare. Në përpjekjen e tij obsesive për të rrëzuar regjimin e Bashar Al-Assad në Damask, që nuk kishte asnjë përfitim të dukshëm strategjik për Turqinë apo Perëndimin, Erdogan u dha mundësi shumë luftëtarë të huaj që t’i bashkoheshin Shtetit Islamik (ISIS).
Po ashtu ai ofroi mbështetje logjistike dhe mjekësore për këtë organizatë, dhe i shiti armë një entiteti, që paraqet pa asnjë dyshim kërcënimin e vetëm më të madh të sigurisë për rajonin që nga koha e Al Kaedës. Në atë kohë (2012-2015), gazetarët e përfshirë në rajon e përshkruan Turqinë si një “autostradë xhihadiste”, që dëshmoi një numër të madh terroristësh të pakontrolluar të kalonin nëpër kufijtë e saj.
A duhet harruar ky fakt? A duhet të supozojë Perëndimi se mund të punojë me Turqinë kundër Rusisë? Në fakt jo. Përveç bëmave të tij të rrezikshme, Erdogan ka arritur të kërcënojë seriozisht kohezivitetin e NATO-s, përmes blerjes së sistemit rus të mbrojtjes raketore S-400, duke sjellë largimin e Turqisë nga programi i avionëve lufarakë F-35, ku ajo ishte një anëtar i konsorciumit prodhues, raporton abcnews.al.
Ndërkohë S-400, që mbeten ende në depo që prej kohës kur u blenë në viti 2019, kanë potencialin – nëse vendosen në përdorim – t’i shkaktojnë dëme serioze sigurisë së aleancës, për shkak të aftësisë së tyre për të mbledhur informacione të rëndësishme për shënjestrimin e avionëve aleatë, të cilat mund të ndahen me rusët.
Nga ana tjetër, ndërsa Turqia po ndihmon në dukje forcat ukrainase përmes shitjes së dronëve ushtarakë “Bayraktar”, refuzon të marrë pjesë në regjimin e sanksioneve perëndimore kundër Rusisë. Përkundrazi, Erdogan po minon në mënyrë aktive sanksionet perëndimore duke lejuar transferimin dhe depozitimin e aseteve financiare ruse në bankat shtetërore turke.
Kjo solli edhe vizitën urgjente në Ankara të zëvendëssekretarit amerikan të Thesarit, që paralajmëroi autoritetet turke të mos vazhdonin më në këtë rrugë. Ndërkohë, në këmbim të gatishmërisë së Erdoganit për të ndihmuar Rusinë të ketë qasje indirekte në tregjet financiare ndërkombëtare, Putin po e shpërblen Turqinë duke lejuar dërgimin e grurit të vjedhur ukrainas në Turqi.
Ndërkohë Erdogan ka ndërmarrë veprime të mëtejshme kundër sigurisë së Perëndimit.Ai ka përshkallëzuar veprimet ushtarake nga forcat detare turke në Mesdheun Lindor, të cilat sfidojnë drejtpërdrejt ujërat territoriale dhe zonat ekskluzive ekonomike të vendeve si Qipro dhe Greqia.
Pastaj është këmbëngulja e vazhdueshme e Turqisë për të pranuar përfaqësuesit e Hamas brenda kufijve të saj, dhe për t’u dhënë atyre legjitimitet. Për të mos përmendur sulmet e përditshme ndaj qeverisjes demokratike brenda vetë Turqisë. Javës që shkoi, një gjyqtar i emëruar nga Ministria e Drejtësisë e Erdogan, reduktoi dënimin e vrasësit të një gruaje, të cilin e kishte përdhunuar, djegur dhe më pas e kishte hedhur në një kazan me vaj që vlonte.
Ky akt skandaloz i shtohet burgosjes së padrejtë të shumë disidentëve politikë brenda vendit, si për shembull ai i aktivistit të të drejtave të njeriut Osman Kavala, si dhe një pjesëtari të stafit të ambasadës amerikane në Ankara, Metin Topuz.
Mbyllja e syve përballa akteve anti-demokratike të qeverisjes së Erdogan, për të gjetur një mënyrë për të bashkëpunuar me Turqinë, i minon në thelb objektivat që po kërkon të arrijë dhe të mbështesë Perëndimi. I vetmi zhvillim pozitiv i kohëve të fundit nga Erdogan në raport me Perëndimin, është lejimi i hyrjes në NATO të Finlandës dhe Suedisë
Por kjo lëvizje e vetme, nuk adreson asnjë nga shqetësimet e tjera të vazhdueshme, të përmendura më lart. Është e domosdoshme që Perëndimi të kuptojë se nuk ka nevojë që Turqia të realizojë interesat e saj të sigurisë. Për NATO-n, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian, ka një rrugë të qartë se si t’i qasen Erdoganit:t’i ofrojë atij mundësinë që të bëjë gjënë e duhur, dhe kjo mund të përfshijë ofrimin e një platforme për ta çliruar Turqinë nga sistemi rus S-400.
Në rastin e zgjerimit të NATO-s, anëtarët e NATO-s mund t’i kishin ofruar Finlandës dhe Suedisë të gjitha garancitë e sigurisë në bazë të nenit V, përveç anëtarësimit. Për sa i përket mbështetjes së Turqisë si demokraci, BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara duhet të inkurajojnë pa mëdyshje sundimin e ligjit dhe zgjedhjet e lira dhe të ndershme, dhe të denoncojnë shkeljet e shpeshta të Turqisë.
Nuk ka asnjë dyshim se aleanca perëndimore po përballet me sfida të shumta, të cilat kërcënojnë shtyllat thelbësore të sigurisë perëndimore. Por kjo nuk do të thotë se Perëndimi duhet të punojë me aktorë keqdashës, të cilët vetëm do ta dëmtojnë atë.
Shënim: Sinan Ciddi, anëtar i Fondacionit për Mbrojtjen e Demokracive (FDD), dhe profesor i asociuar i studimeve të sigurisë në Universitetin Xhorxhtaun, SHBA.