Bardh Spahia, kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, që humbi zgjedhjet në Shkodër, ka qenë i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ku deklaroi se rezultati ka qenë i ndikuar nga krimi dhe blerja e votave.
Analisti Enton Abilekaj e ka pyetur se përse ai shpalli fitoren të dielën në darkë, pas përfundimit të votimit dhe pse nuk i kishin këto informacione për blerjen e votave, para zgjedhjeve por e deklaruan pas shpalljes së rezultatit.
Pjesë nga biseda:
Enton Abilekaj: Ju deklaruat fitoren në darkë të dielën. Pse?
Bardh Spahia: Të gjithë shifrat deklaronin fitoren tonë. Të gjithë sondazhet tregonin fitoren tonë.
Enton Abilekaj: Nuk kishit informacion a kanë dalë votuesit tuaj? Ju thoni u blenë votat. Ju në cilësinë e kryetarit të Bashkisë, duhet ta kishit informacionin pasi u mbyllën kutitë. Por, ju deklaruat fitoren në darkë.
Bardh Spahia: Në bazë të informacioneve që kishim ne po.
Enton Abilekaj: Epo nuk paskeni patur ju informacione. Kjo tregon se ka makineri të madhe mbrapa, është manipuluar rezultati rëndë. Kjo nuk diskutohet. Problemi është, cfarë bëtë ju për këtë? Ne e dinim që Rama do ti mbyllte rezultatet siç i kishte deklaruar. Kishte deklaruar që opozita nuk fiton asnjë bashki të madhe dhe Shkodra është e tillë. Kjo dihej. Ju, duke e ditur, as informacion nuk morët, as e parandaluat, deklaruat që fituat…
Bardh Spahia: Unë flas për informacionin që kam patur, zgjedhësit tanë janë përgjigjur maksimalisht. Kemi patur rritje votash në qytet. Të bënin të mendoje se do të ishte votë për opozitën, çka nuk ndodhi.