Nga Ndriçim Kulla
Si e duan këta njerëz Kuvendin, teatër kukullash ku fijet t’i lëvizin Rama dhe Basha?! Jo më! Nga sot e tutje kjo epokë do marrë fund. Mazhoranca duhet t’i përgjigjet popullit për “krimet” ekonomike që i ka bërë, që ngjajnë me natën e zezë në mes të ditës së tij të perspektivës europiane, duke pranuar të gjitha komisionet e opozitës që kërkojnë transparencën e parave dhe taksave të tij se ku shkojnë e se si harxhohen, në shëndetësi, bujqësi, kulturë, arsim, inceneratorë e kudo?
Manxhoranca dhe ky kryeministër duhet të ndriçohen edhe nga parlamenti shqiptar për prapësitë që po bëjnë, me qëllim që të ndihmojnë edhe opinionin publik shqiptar mbi të zezat që i kanë punuar opozitës shqiptare me aferën e ndyrë të kryespiunit të FBI-së, Charles Mcgonigal.
Afera Mcgonigal është natyrisht një minaturë e të gjitha pabesive, intrigave dhe rrjetës së një merimange të stërmadhe që ka thurur për një dekadë me radhë kryesisht një person i lidhur për vdekje me pushtetin.
Është e nevojshme që përveç Aleksandër Vuçiçit, që është edhe “soi” i tij, përveç popullit shqiptar, i cili me kodin zakonor që ka respektuar në shekuj i urren dhe i ndëshkon pabesitë, duhet ta marrin vesh edhe Emmanuel Macron, Olaf Schols dhe gjithë bashkëbiseduesit e tjerë europianë se kush është personazhi i gazetave të stërmëdha amerikane, që sot drejton Shqipërinë. Dhe më qartësisht, më demokratike dhe më transparente do të ishte të kishte një hetim parlamentar për këtë vrasje pas shpine të opozitës.
Mazhoranca duhet t’i japë popullit një reformë zgjedhore të koordinuar me përfaqësuesit e vet, deputetet në shumicë të opozitës, jo kukullave të zgjebosura të pushtetit që lëvizin nëpër korridoret e pushtetit si hiena të mallkuara për kërmë.
Ja pse kjo ditë është një ditë e mirë, një ditë shprese për të gjithë shqiptarët.
Pushteti duhet të ulë kokën nga turpi që e çoi deri këtu opozitën e vendit të vet, jo të bërtasë refrenin e përdalë tashmë ” fajin e ka Saliu ose nuk negociojmë me partinë e non-gratave”.
Pushteti duhet ta kuptojë se beteja në parlament është vetëm fillimi i një revolte popullore për votën e lirë, burimin e çdo lirie dhe demokracie. Dita e nisjes së kësaj revolte të shpresës dhe besimit tregon qartë se e ardhmja e demokracisë dhe lirisë politike as nuk ka rënë dhe as perënduar me këtë regjim të zi nate.
Dielli do të rilindë përsëri për Shqipërinë dhe të gjithë shqiptarët