Qeveria shtrenjton çmimin e druve të zjarrit për qytetarët/ Zbardhet lista e çmimeve! Gjoba për ata që ngarkojnë me gomar dhe kalë

0
38
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Qeveria shqiptare ka vendosur të rrisë çmimet e lëndëve drusore për përdorim për qytetarët dhe industrinë. Në projektvendimin e nxjerrë për konsultim publik nga qeveria për miratimin e çmimeve dhe tarifave për veprimtaritë që zhvillohen në fondin pyjor kombëtar vërehet një rritje e çmimit të të gjitha llojeve të lëndës drusore.

Konkretisht, sipas këtij projektvendimi do të ndryshojë dhe rritet me gati 50 për qind çmimi i ahut, dushkut, pishës dhe bredhit si lëndë kryesore që shërbejnë për dru zjarri. Pas 9 vitesh në pushtet, qeveria socialiste e Kryeministrit Edi Rama ka hartuar një projektvendim për ndryshimin e tarifave dhe çmimet për prodhimet drusore dhe jodrusore pyjore, për grumbullimin dhe nxjerrjen e prodhimeve të dyta pyjore dhe jo pyjore dhe shfuqizuar ato të vendosura me VKM nr. 391, datë 21.6.2006 që mban firmën e ish-Kryeministrit Sali Berisha.

Deri më sot një m3 ah i madhësisë me gjeri deri në 22 cm kushton 1300 lekë dhe mbi 22 cm kushton 2400 lekë. Por ky projektvendim e rrit çmimin për kategorinë e parë në 2000 lekë dhe 3500 për të dytën, duke i rritur përkatësisht me 700 dhe 1100 lekë. Një rritje të konsiderueshme do pësojë edhe dushku. Sot një m3 me gjerësi deri në 22 cm kushton 1500 lekë dhe 2700 lekë mbi 22 cm gjerësi.

Çmimi i një m3 dushk i gjerësisë deri në 22 cm do jetë 2500 lekë dhe mbi 22 cm do rritet në 4000. Në treg do të ndryshojë edhe çmimi i drurit të pishës dhe një rritje akoma më të madhe do të pësojë edhe bredhi. Po ashtu do të pësojë rritje të konsiderueshme edhe lënda drusore për përdorim të gjerë në industri. Sipas projektvendimit të qeverisë rritje do pësojnë të gjithë lëndët që rendit në kategorinë e parë.

Një m3 arrë, gështenjë, panjë dhe vidh, nga katër mijë e pesëqind lekë që kushton sot, do të rritet në shtatë mijë lekë. Po ashtu, ndryshime do pësojë plepi, rrapi dhe shelgu, ku nga një mijë e shtatë qind lekë sa kushton sot m3, do të shkojë në tre mijë lekë. Për sa i përket kategorisë së tretë, ku bëjnë pjesë bliri, frashëri, gështenja e egër, mështekna dhe vërri, nga tre mijë e treqind lekë m3 sa është sot, do të rritet në pesë mijë lekë. Projektvendimi përcakton edhe tarifat e shitjes së pemëve të Krishtlindjeve dhe të Vitit të Ri. Sipas tij, një pemë me lartësi deri në 1 m do kushtojë 1 000 lekë, 1 deri 3 m 2 000 mijë lek, me lartësi mbi 7 m do kushtojë 10 000 lekë.

GJOBAT
Ky projektvendim do të ndëshkojë edhe ata që përvetësojnë nga fondi pyjor kombëtar për përdorim vetjak. Fshatrat që do të marrin dru nga një territor pjesë e listës do të gjobiten deri në 70 milionë lekë të vjetra për hektar për shpyllëzim të fondit pyjor ose pyjeve pa miratimin përkatës, pa përdorimin e tokës. Konkretisht masat e gjobave do të jenë për një hektar trungishte 7 milionë lekë, cungishte 4 milionë lekë, shkurre 2 milionë lekë dhe në pjesë të tjera të fondit pyjor një 1 milion e 5 qind mijë lekë.

Kush zë ose përdor pa leje fondin pyjor pa i dëmtuar ato, do të gjobitet me 2 milionë e 5 qind mijë për një hektar. Gjoba të majme do të ketë edhe për fshatarët që do të përvetësojnë lëndë drusore të ndryshme nga fondi pyjor. Kushdo që merr një barrë me dru në krah, ngarkon gomarin apo kalin, do të gjobitet nga administratorët e njësive vendore dhe inspektorët e Agjencisë Kombëtare të Pyjeve. Kështu, përvetësim dhe shitja pa leje do të llogaritet në m3, barrë në krah, ngarkesë e kafshës dhe copë. Kush fshatar vetëngarkohet me dru për përdorim vetjak, do të gjobitet me 3 mijë e 5 qind lekë. Kushdo që do ngarkojë kalin e tij me një barrë për dru zjarri, do gjobitet me 9 mijë lekë dhe kush ngarkon gomarin me dru zjarri, do gjobitet me 6 mijë lekë për një barrë.

Qeveria shtrenjton çmimin e druve të zjarrit për …

Kush do të presë një dru për bandiera, bishta veglash e furka me diametër 4.1-12 cm, do gjobitet me 4 mijë lekë për copë. Një fshatar që duhet të rrethojë tokën e tij apo riparojë gardhin ekzistues duhet të mendohet mirë, pasi pas futjes në fuqi të këtij projektvendimi për një hu deri në diametër 4 cm do të gjobitet me 1 mijë e 4 qind lekë për copë. Por edhe ata që e duan lëndën drusore për përpunim, duhet të mendohen dy herë, pasi për 1 m3 të përvetësuar pa lejë do gjobiten me 60 mijë lekë.

Çdo fshatar që do të shkulë një cung pa leje, duhet të shohë nëse i ka në portofol 27 mijë lekë për të paguar gjobën. Kush mendon se do të shkojë në fshat për të bërë kosha, shporta e të tjera të kësaj natyre prej thupre shelgu apo lloje të tjera, pavarësisht nga madhësia, do të gjobitet me 10 mijë lekë copa.

Por ky projektvendim parashikon edhe që kositja dhe grumbullimi pa leje në fondin pyjor të barit do të gjobitet me 3 mijë e 5 qind lekë për kuintal. Një fshatar nuk duhet ta vendosë mullarin e tij, të çfarëdollojti apo madhësie pa lejë në një fond pyjor, pasi do gjobitet me 2 mijë e 7 qind lekë për copë. Kullotja e bagëtive, derrave dhe pulave pa leje në fondin pyjor do t’u kushtojë fshatarëve gjoba që variojnë nga 450 lekë për një pulë, 2.200 lekë për një derr, 2700 për një lopë dhe 1.800 lekë për një dele apo dhi. Por nga ana tjetër parashikohen edhe masa administrative me gjoba për ata që hapin gurore, rrugë, kanale vaditëse, kanale për të shtrirë tubacione për ujë të pijshëm, gazsjellëse, naftësjellës, kush nxjerr qymyr apo merr bimët mjekësore./Panorama/

Zjarr Tv Ad