Foltorja e fundit e z. Sali Berisha, që do të përmbyllë turin e tij me demokratët në të gjithë Shqipërinë për të kulmuar në Kuvendin e 11 Dhjetorit, do të mbahet në qytetin e Lezhës. Lezha është përzgjedhur për t’i vënë kurorën kësaj lëvizjeje të demokratëve, e para në historinë politike të vendit në pluralizëm, pasi përmban një simbolikë të veçantë për Partinë Demokratike dhe liderin historik të saj, Sali Berisha.
Gazetari Elkier Bushkola SYRI TV, ka treguar sot në emisionin “Kafe Shqeto” përsë është zgjedhur Lezha për mbylljen e Foltores.
“Foltorja ka shkuar në të gjithë Shqipërinë dhe përzgjedhja e qyteteve ka qenë dhe e rastësishme: pas Tiranës, shkoi në Fier, një bastion i së majtës. Përgjithësisht, propozimet vijnë nga degët, – rrëfeu Bushkolaj . – Sigurisht që ka një farë përzgjedhjeje. Për shembull, për mbylljen e Foltores nëpër qarqe u zgjodh pikërisht Lezha, duke qenë se Lezha është një nga qarqet që ka disa prej krahinave më të përndjekura në Shqipëri siç është Mirdita e Kurbini dhe ka një bazë shumë të madhe të votuesve potencialë të djathtë, të cilët ndër vite e kanë votuar Partinë Demokratike. PD, historikisht në qarkun e Lezhës ka dalë parti e parë, si në zgjedhje për deputetët, ashtu edhe për sa i përket bashkive, ku ka fituar gjithmonë nga 2 -3 bashki. Dhe ditën e sotme, një nga Foltoret përmbyllëse në dijeninë time është Kurbini, edhe ai pjesë e qarkut të Lezhës.”
Bushkolaj solli në vëmendje më tej disa fakte, që e kanë bërë unike Foltoren si lëvizje jo vetëm brenda PD-së, po për të gjithë politikën shqiptare : “Foltorja kam përshtypjen se ka rritur pritshmëritë e zotit Berisha dhe i ka kapur në befasi edhe ndërkombëtarët dhe të gjithë ata që menduan për shpalljen “non grata”, – vërejti gazetari.
– Diplomatët, duke njohur klasën politike shqiptare kanë bindjen se edhe populli shqiptar është i tillë, por në realitet kjo klasë politike shqiptare ose të paktën kjo legjislaturë që ka qenë tetë vitet e e fundit e që do të jetë edhe për katër vitet e ardhshme nuk është përfaqësim real i popullit shqiptar, në të gjitha nocionet që duhet të përfshijë një përfaqësim real. Dhe me sa duket ata nuk e kanë pritur që Foltorja do të shndërrohej në një lëvizje masive dhe zoti Berisha do të kishte të njëjtën mbështetje siç ka pasur para vitit 2013 në radhët e demokratëve. Kujtojmë që ai ka qenë për tetë vite në opozitë dhe ka mbajtur rolin e thjeshtë të një deputeti.
Ne kujtojmë që zoti Berisha dhe në fushata elektorale e kemi parë agresiv thjesht në daljet televizive në periudhën e fushatës, nuk e kemi parë që gjatë fushatës së fundit elektorale të dalë dhe të organizojë takime në të gjithë Shqipërinë. Në dijeninë time, në fushatën e fundit, maksimumi ka realizuar disa takime në zyrë me përfaqësues të zonave të ndryshme të Shqipërisë dhe me përfaqësues nga Kavaja ku supozohej se ishte zona e tij politike dhe në rajone të ndryshme të Tiranës, por nuk e kemi parë zotin Berisha që të shkojë nga Kukësi deri në Sarandë, nga Dibra në Durrës që të bëjë takime me gjithë Shqipërinë,” theksoi Bushkolaj.