Kryeministri Edi Rama ka reaguar për Arrestimet e fundit të SPAK, për koncesionin e sterilizimit.
Pasi ka përshëndetur punën e SPAK në këto ditë gushti, Rama thotë se drejtësinë nuk do ta pengojnë kudo ku ajo të hyjë, madje edhe brenda qeverisë.
Reagimi i Ramës
Puna e pandërprerë e SPAK-ut dhe GjKKO edhe në gusht meriton respekt e falenderime! Me këtë rast le të rikujtojmë kush e premtoi, filloi dhe mundësoi Reformën në Drejtësi, pas një kohe të gjatë lëngimi të Shqipërisë në batakun e padrejtësisë, kur askush s’kishte guxim as ta mendonte, jo ta bënte drejtësinë të pavarur nga qeveria.
SPAK-u dhe Byroja Kombëtare e Hetimit nuk ranë nga qielli, po erdhën në jetë si shprehje e vullnetit të sinqertë e të palëkundshëm shtetndërtues. Nuk ishin fjalë të bukura si ato të 100 vjetëve të shkuara me radhë, kur unë dhe Partia Socialiste iu zotuam popullit shqiptar, se do të ndërtojmë një drejtësi të re, të pavarur, europiane, që do t’i japë fund kancerit të pandëshkueshmërisë.
Kjo drejtësi sot ka lindur e po rritet përditë, sepse Partia Socialiste e Shqipërisë mbajti zotimin e saj më solemn e më të vështirë për të realizuar, përballë 100 viteve përqeshjeje me drejtësinë në historinë e shtetit shqiptar, kur nuk u prek kurrë dot nga drejtësia asnjë individ i pushtetshëm apo i lidhur me pushtetin, ku drejtësia ishte një shëmtirë e fortë me të dobëtit dhe e dobët me të fortët.
Disa flasin sot sikur SPAK-u është dallga e Zotit dhe qeveria porti i Djallit. Po ata harrojnë se dallgën e drejtësisë e ka ngritur në krye të herës guximi, vullneti dhe ambicia për Shqipërinë e pikërisht kësaj qeverie, e cila ndryshon si dita me natën me ato të mëparshmet e 100 vjetëve pengmarrje të drejtësisë. Kjo qeveri dhe askush tjetër e hapi me gjoks rrugën e drejtësisë së re dhe kurrë nuk do ta pengojë drejtësinë në rrugën e vet, kudo ku ajo të hyjë, brenda qeverisë, rrotull saj, mbrapa saj apo nën ombrellën e saj.
Falë besimit se ky vend bëhet dhe fuqisë së kësaj qeverie për të hequr dorë nga kontrolli i drejtësisë, e për ta mbështetur atë pa kushte kundër korrupsionit e krimit të organizuar, Shqipëria europiane, që po hedh shtat dita – ditës mes 1000 sfidave, pengesave e vështirësive, do t’i provojë vetes e botës se historia nuk është një mallkim i përjetshëm, se historinë janë vetë njerëzit e çdo gjenerate që e shkruajnë me forcën e ëndrrave, shpresave, këmbënguljes së tyre dhe se në ngjitjen drejt majës që meritojnë brezat që vijnë, këtë vend nuk ka më forcë që ta ndalë të shkruajë një histori të re.