Nga Andi Bushati
Sapo u bënë publike dokumentat e arrestimit të të përzgjedhurit të tij, Valdrin Pjetri, Edi Rama përzgjodhi mënyrën që tashmë është bërë bajat, atë të justifikimit.
Në morinë e statuseve që botoi me këtë rast, më sinjifikativi ishte ai kur bënte të paditurin për të shkuarën problematike të atij që i la në dorë jo vetëm bashkinë e Shkodrës, por tani së fundi edhe PS në lokale.
Ai nxitoi të mbrohej duke thënë se kishte zgjedhur një profesionist të zotin dhe të edukuar, pinjoll të një familjeje të respektuar, për të cilin, as që i shkonte ndërmend se mund të kishte guxuar të fshihte të shkuarën e vet, duke shkelur ligjin.
Në thelb, reagimi i pritshëm i kryeministrit, i ngjan atij që bëri pasi dolën përgjimet për Saimir Tahirin. Të gjithë e kujtojnë se ai shkoi deri në aludimin për një bashkëpuntor që mund të rrezultonte një “vemje e padenjë për racën njerzore”, ndryshe nga ministri më i suksesshëm që pati njohur ai. Të tërë i mbajnë mend përbetimet hokarare se brenda xhuxhmaxhuxhmërisë të Ervis Roshit, nuk fshihej asnjë e fshehtë e madhe që ta penalizonte dekriminalizimi.
Askush nuk mund ti harrojë alibitë për përgjimet e Gjushit që s’kish bërë asgjë më tepër sesa një sallatë fjalësh.
Në të gjitha rastet kur Edi Rama është ndeshur me provat e pakundërshtueshme të lidhjes me krimin, të atyre që ka ngjitur në skalionet drejtuese të rilindjes, ai ka luajtur rrolin e të paditurit. Kështu ka bërë me Ndokën, Prengën dhe me mbi përmbi 20 të zgjedhurit që ia nxorri jashtë ligji i dekriminalizimit.
Por, pavarësisht se e shkuara që të ndihmon të lexosh të tashmen, të bën të besosh se ai gënjen edhe në rastin e Valdrin Pjetrit, ka mundësi që këtë herë ai vërtet të mos e ketë ditur, të shkuarën e të përzdhedhurit për Shkodrën.
Nëse do të tentonim të bënim avokatin e djallit, do të gjenim më shumë se një arsye se përse Rama vërtet nuk ka pasur dejeni për ngjarjen e dy dekadave më parë në Firence, kur Pjetri në moshë fare të re, është arrestuar për çështje droge.
Nëse do e dinte ekzistencën e atyre letrave që sot i djegin duart, ai kishte mundësi mos e kandidonte Valdrinin. Në votimet moniste ku rrezultati ishte i sigurtë, ai në Shkodër mund të emëronte kë të donte. Aq më pak i obliguar qe që pas 30 qershorit, të bënte largimin mediatikisht të bujshëm të Ditmir Bushatit, për ta zëvendësuar me dikë që do ti plaste në duar si një eksploziv me prapaveprim.
Por, edhe nëse e besojmë alibinë e stërpërdorur të Ramës, pra përbetimin se ai nuk ka qenë në djeni, në vend që t’a lehtësojë ajo është një gjë që e rëndon pozitën e kryeministrit. Sepse, në këtë rast kjo do të qe prova e kriminalizimit përfundimtar të PS, dëshmia se kjo organizatë ka humbur ç’do filtër skarcimi ndaj banditëve, sa ata tani depërtojnë në rangjet më të larta edhe nëse shefi nuk u a ka parë letrat. Ajo tregon se partneriteti me botën e nëntokës ka përparuar deri në atë shkallë, sa socialistët kanë humbur çdo lloj vetoje dhe kontrolli për këdo që u vendosin mbi krye.
Dhe megjithëse zgjedhjet i kishte të fituara, Ramës, ortakëria me krimin i duhej edhe në 30 qershor. Të mos harrojmë se përpara kësaj date opozita kërcënoi me shkatërrim të procesit dhe me veprime të dhunshme. Nëse Bashës dhe Kryemadhit ndërkombëtarët nuk do ti kishin nxjerrë para syve letrat për të cilat kanë djeni vetëm ata, ky skenar mund të kishte ndodhur.
Dhe ndaj kësaj përplasjeje Rama mori masat. Ai për Shkodrën bëri pakt me banditët që do ti ruanin kutitë dhe që i siguruan mbajtjen e mitingut në Shkodër. Ai kishte aleat të njëjtë njerëz që i servirën Pjetrin. Në këtë kontekst ai nuk kishte se pse të qe i informuar për letrat e atij që partnerët okultë do ia vendosnin për kandidat, sepse ai u pati dhënë atyre çekun e bardhë, për të pasur njeriun e tyre.
Pra në këtë histori, Edi Rama nuk është përgjegjës për faktin se ka parë apo nuk ka parë skedën e dekriminalizimit të Valdrin Pjetrit, por, ai është fajtor se u ka lënë fushë të lirë atyre që nuk mund të zgjedhin një profil të ndryshëm nga ai që zgjodhën.
Prandaj, rasti i kryebashkiakut të pakurorëzuar të Shkodrës, nuk është një histori personale, që mund të trajtohet në formën e një qiuz: e dinte apo se dinte kryeministri. Ai përbën një rastësi fatkeqe që vërteton të tërën. Ai është në vazhdën e mbi 20 rasteve të tjera të katapultimit të subjekteve të dekriminalizimit në politikë. Prandaj shfajësimi i fundit i Ramës nuk ka asnjë vlerë, sepse edhe nëse nuk dinte historinë e Pjetrit, rininë e trazuar të tij, atë episod që e ka shnjuar për gjithë jetën, ai njeh mirë ata që ia kanë servirur.
Ai sot nuk akuzohet për fatin e Valdrinit, por se e ka përmbytur PS-në me të ngjashmit e tij.