Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Luigi Soreca dhe e ngarkuara me punën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Leyla Moses-Ones lëshuan apel të fortë për udhëheqësit shqiptarë, ndërsa kërkuan më shumë vëmendje dhe politika mbështetëse për gratë e prekura nga kanceri.
Në fjalën e tij në një takim për sensibilizimin ndaj sëmundjes së kancerit, Soreca tha se në Shqipëri janë rreth 7700 raste të reja në vit, shifra këto të konfirmuara nga OBSH-ja.
“Në fakt kanceri i gjirit është kanceri më i përhapur në BE. Sipas të dhënave të BE, gjasat që një femër të zhvilloi kancerin është 1-8 . Ndërkohë në Shqipëri janë rastet e reja 7700 në vit. Kjo e rendit Shqipërinë në vendin e 88-të. Këto siç e thashë janë shifra të OBSH dhe këto shifrat janë shumë të rëndësishme për të kuptuar fenomenin. Ne ju bëjmë thirrje palëve të lexojnë këto rekomandime dhe t’i bëjnë pjesë të punës së tyre.
Gjashtë viteve të fundit BE-ja ka investuar shumë në tregun e punës, por ka ndihmuar edhe grupet vulnerabël, siç janë edhe gratë e prekura nga kanceri. Ne po përgatisim një program të ri, që do të fokusohet në këto çështje. Unë kam angazhim personal, që ky program të shkojë përpara sa më shpejt të jetë e mundur. Me kënaqësi konstatoj se kemi këtu persona të ndryshëm nga shoqëria”, tha Soreca.
Nga ana tjetër e dërguara me punë e SHBA-së në Tiranë, tha se udhëheqësit dhe politikanët shqiptarë duhet të tregohen me vigjilentë dhe të punojnë për interesin e përgjithshëm të vendit. Ajo rikujtoi edhe reformën zgjedhore, çështje kjo që prej kohësh është pjesë e debatit politik në vend.
“Investimi tek gratë i ndihmon vendet të arrijnë paqe dhe begati më të madhe. Gjatë viteve të fundit ambasada e SHBA ka mbështetur angazhimin, politik-social dhe politik të grave në Shqipëri. Unë do të doja të ndaja me ju diçka personale. 12 muaj më parë humba nënën time për shkak të kancerit. Unë e di personalisht se kanceri i gjirit ndikon tek të gjithë ne. Kanceri i gjirit nuk njeh kufij dhe është i varbër ndaj privilegjeve. Diagnoza e kancerit është tragjike për njerëzit. Studimi tregon se punonjësit e Shqipërisë të punojnë për të ndihmuar gratë, veçanërisht ato me sëmundjen e kancerit. Koha është tani dhe mundësia është këtu. Udhëheqësit duhet të japin një shembull të shkëlqyer, ndoshta edhe për një reformë zgjedhore dhe kjo është e mundur”, tha Moses.