Rëndohet bilanci i viktimave pas përmbytjeve masive në Itali. Deri më tani raportohet për 14 persona të vdekur si pasojë e përmbytjeve të mëdha.
Mediet vendase raportojnë se sot është gjetur një tjetër trup i pajetë, që i përkiste një 70-vjeçari në zonën e Ravenës, një nga zonat më të goditura nga moti i keq, në Emilia Romagna.
Autoritetet italiane pretendojnë se numri i viktimave mund të rritet edhe më shumë në vijim, pasi dhjetëra persona të tjerë rezultojnë të zhdukur, ndërsa 15 mijë të tjerë janë evakuar nga zonat e rrezikut.
Vetëm këtë të premte pati një përmirësim të motit, por punonjësit e emergjencave thonë se ka ende zona ku nuk është ndërhyrë. Përveç përmbytjeve në 48 zona të Emilia Romagnës, janë regjistruar edhe 280 raste të rrëshqitjes masive të tokës.
Mbi 10 mijë banorë kanë mbetur të pastrehë dhe që dëmet parashikohen të jenë në miliarda euro. Rreziku i katastrofës natyrore vazhdon të mbetet në fuqi, ndërkohë sinoptikanët parashikojnë përkeqësim të gjendjes pasi një ciklon i ri pritet të godasë vendin në orët që vijojnë.