Deputeti i Partisë së Lirisë, Petrit Vasili, hodhi akuza të rënda ndaj qeverisë në Kuvend, ku tha se tenderat e rrugëve i marrin gjithmonë kompanitë që ofrojnë ofertën më të lartë.
Vasili tha se kohët e fundit është kaluar edhe fondi limit prej 99 %, pasi sipas tij tashmë rrugët po ndërtohen edhe 102 %, duke tejkaluar sipas tij çdo imagjinatë.
Ai shtoi se rruga Qukës-Qafë Plloç ka mbetur jashtë interest të qeverisë, pasi sipas tij, për këtë rrugë qeveria thotë prej kohësh se nuk ka fonde.
“Gjithmonë fitojnë ofertat më të larta të rrugëve që e kalojnë edhe fondin limit. E thyen rekordin e 99 % dhe ka shkuar në 102 %. Njëherazi shikojmë për rrugë që janë dhënë me koncesion, 20 milion euro. Ndërkohë këto që grabiten kollaj, këto ecin. Shqipëria i bën rrugët 7 herë më të shtrenjta se Brukseli. Batërdia me rrugët, plus cilësia e tyre, plus çmimet që janë shumë më të larta se ato europiane. Vetëm zgjerimet e rrugës shkojnë miliona euro sikur të ishin rrugë të reja dhe në terren të vështirë. Kurse për rrugën Qykës Qafë-Pllloç s’ka para gjithmonë, nuk gjenden paratë. Ata që kanë marrë me 99 % tenderat marrin akoma edhe për materialet. Kjo batërdi ndodh me rrugët, është bërë e rëndomë e zakonshme edhe për ndërkombëtarët. Kjo bën që ne të dëgjojmë liturgjinë e 10 viteve radhazi. Asnjë alibi apo justifikim nuk mund të ketë për të zgjatur kaq gjatë një rrugë. Këtu dëgjojmë metrat dhe centimetrat që nuk është fare nevoja t’i dëgjojmë këtu. Se po të duan ta zgjidhin këta e zgjidhin shumë thjeshtë edhe duke paguar 26 milion euro për 1 metër rrugë”, u shpreh Vasili.