NGA RUDI EREBARA
Sikur të kishte fituar zgjedh jet opozita, edhe të ishte Lul Basha sot Kryeministër, asgjë nuk kishte për të ndodhur nga këto kriza që kemi. Po, në fakt, krizat po ndodhin sepse opozita nuk fitoi. Opozita nuk fitoi sepse u manipuluan zgjedhjet edhe opozita priti ta ndante drejtësia ndërkombëtare me penallti… Drejtësia ndërkombëtare nuk e ndau me penallti. Thjesht vazhdoi kampionatin.
Pas zgjedhjeve, opozitën e lanë në baltë ata që e votuan në radhë të parë. E mbyllën ndeshjen me arbitrazh. Nuk dolën të protestojnë për votën që u vodh, qeverinë që u vodh, ndryshimin që u vodh, vetingun, kthimin e kompensimin e pronave, drejtësinë e munguar e nga këto. Kryetari i sotëm i PD-së, Lulzim Basha, u rivotua nga PD pas humbjes.
Entuziazmin e foltores nuk e kuptoj dot më. Sepse nuk ka asfare rëndësie çfarë thotë Amerika për non gratan e Berishës, sepse non grata, në fakt, është për Partinë Demokratike dhe opozitën shqiptare. A është e drejtë? Jo. Është e padrejtë dyfish kur nuk kemi as gjykatë, as prokurori, as polici, që të kapë ligjin nga koka. Sherrnaja politike brenda PD-së e çoi opozitën deri në fund fare. Rënie e lirë. Sherre personale. Ose sherre influencash. Ose sherre grupesh. Të gjitha i ndezi non grata amerikane. Po të mos kishte bërë non-gratan Amerika, nuk kishte për të ndodhur prapë asgjë. Edhe asgjë nuk ka për të ndodhur deri ditën kur shqiptarit nuk i vjedhin qeverinë, por i vjedhin Kryeministrin. Nuk ka më shqiptarë që ndjekin Kryeministrin. Nuk ka më shqiptarë që ndjekin udhëheqësin.
Ata që votojnë Ramën, janë po ata që kanë votuar Enverin edhe Ramizin. Janë ata që kanë të lidhur jetën me pushtetin e diktaturës. Njerëz që kanë interesin e vetëm në jetë, atë që quhet “me grykën e pushkës”. Janë shqiptarët që janë pjesë e krimit të diktaturës. E vetmja mënyrë që të vazhdojnë jetën është të jenë të lidhur me krimin e kryer personalisht, ose me krimin e trashëguar nga të parët. Nuk ka pendesë PPSH. PPSH është formacion pushteti. Krimin e ka pjesë të pushtetit, e ka punë ditore. Nuk ka asgjë shpirtërore në pushtetin e PPSH. Kujtoni 1997. Kujt i shkoi mendja nga ata që derdhnin plumba, se kishin djegur në ditë më shumë miliona se kishin gjithë firmat piramidale të mbledhura bashkë. Askujt. Sepse ata kishin synim pushtetin. Edhe me Ramën, synim kishin pushtetin.
Rikthimi i Berishës me tezën e sovranitetit ishte ideale si politikë, derisa përfundoi me luftën ndaj Bashës, për të rimarrë Partinë Demokratike si pushtet. Për të rimarrë kontroll mbi opozitën. Nuk ka rendësi më se kush fiton mes Berishës e Bashës. Dëmi është bërë. Partia Demokratike, e cila erdhi dhe u mbështet nga miliona shqiptarë, këtu e të ikur, ka përfunduar në kërkesën leniniste për pushtet. Është një parti, e cila kërkon elektorat si ata që i morën atij njeriut kalin të kalojnë lumin. Nuk e hedh dot lumin me Lulzim Bashën, edhe pse unë jam i bindur se duhet ta lëshojë kalin se nuk e ka të vetin.