Nga Enver Bytyçi
Markus Preiß, drejtues i studios ARD Europë në Bruksel, e ka shkruar në Twiter këtë status pas fjalës së presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në samitin e krerëve të BE-së me liderët e Ballkanit Perëndimor në Bruksel. “Nëse doni të shihni se sa mirë bëhet komunikimi politik, duhet ta shikoni paraqitjen e sotme të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani. E qartë kristal, argumentuese, e diferencuar, pozitive dhe retorikisht e përsosur”.
Sikur ky vlerësim nga një gazetar prominent e me peshë në gazetarinë europiane të ishte adresuar për Edi Ramën ose Aleksandër Vuçiq do të kishin ushtuar malet e grykat e tyre, deti dhe fushat në mbarë Ballkanin për t’u bërë lapidar këtyre dy autokratëve kleptokratë që sjellin çdo ditë fatkeqësi për rajonin! Por nuk ndodhi kjo me Vjosa Osmanin. Përveç atyre që e përhapën lajmin në rrjetet sociale, pak medie të mëdha u morën me performancën e sotme të presidentes së Republikës së Kosovës.
Për ta fsheh lajmin për paraqitjen e kreut të shtetit kosovar në Bruksel, si Rama edhe Vuçiq bënë shoun e radhës me akuza, trillime dhe insinuata anti-europiane. As Vladimir Putin gjatë vizitave të tij në kryeqytetet europiane kurrë nuk është shfaqur me fjalorin anti-europian të Edi Ramës! Rama e tejkaloi atë në stilin e diktatorit komunist të Shqipërisë, stalinistit të fundit në Europë! Dhe si i tillë ka vënë gramafonët e transmetimit të sharjeve kundër BE-së, në vend që t’i jepej hapësirë fjalës elokuente, prekëse, argumentuese, pozitive e të përsosur të Vjosa Osmanit.
Megjithatë krerët e shteteve dhe të qeverive të 28 vendeve anëtare të Bashkimit Europian u bindën se lidershipi rajonal i takon vendit më demokratik të Ballkanit Perëndimor, Republikës së Kosovës. Në fund të fundit konkurrenca e kombeve bazohet sot te aplikimi e zbatimi i parimeve të demokracisë! Këtë sinjal e dha kancelari I RF të Gjermanisë, Olaf Scholz, kur në samitin e Selanikut mori në krah të tij Vjosa Osmanin. Dikur, para 8 vitesh, në krah të kancelares gjermane, zonjës Merkel, ishte Edi Rama! Dhe fansat e tij, pa e ditur se si do të shkojnë rrjedhat, u lumturuan që kryeministri ynë ishte i preferuari I Berlinit. Edhe unë personalisht isha i kënaqur me këtë.
Thoja se është mirë që kryeministri i vendit tim të jetë violinë e liderëve të rajonit tonë.
Por e dija se Edi Rama e zuri bashin e oxhakut për shkak të batutave. Ishte herët dhe punët nuk mund t’ia shihnin europianët. Premtimet ai di t’i bëjë mirë, si askush tjetër! Por tjetër thotë dhe tjetër bën! Disa nga ne e njihnim këtë karakteristikë të kryeministrit tonë, ndaj ishim skeptikë. Të fitosh vendin e parë në krye për shkak të batutave nuk bën gjë tjetër, veçse zhgënjen dhe çdo gjë më vonë të kthehet si bumerang. Revolta anti-europiane e sotme e tipit stalinist e Edi Ramës buron pikërisht nga paaftësia e tij për ta mbajtur bashin e oxhakut në rajon.
Kësisoj duket qartë se ky vend nderi, pa e theksuar dhe pa e proklamuar siç bënte Edi Rama, e kanë zënë Vjosa Osmani dhe Albin Kurti! Kjo po ndodh për shkak të angazhimit të këtyre dy liderëve në reforma të gjithanshme e sidomos në luftën kundër korrupsionit. Nëse krahasojmë Shqipërinë me Kosovën, në të gjitha fushat na shfaqet një diferencë e jashtëzakonshme. Prishtina bën zgjedhje, Tirana zyrtare grabit zgjedhje! Kosova e nxjerr rezultatin e zgjedhjeve brenda 24 orëve, Shqipëria e zvarrit me javë e me muaj, sepse përmes zvarritjes tjetërson rrugës rezultatin zgjedhor! Kosova ka borxhin më të ulët në rajon, Shqipëria më të lartin! Prishtina nuk ka përjetuar prej më shumë se një viti asnjë skandal korrupsioni, në Tiranë qeveria e Edi Ramës mezi pret tri ditë, sepse pas tri ditësh një skandal tjetër më i madh le në hije atë më të voglin! Kosovës i shkojnë ministrat në gjykatë për një akt ordiner të shkeljes së ligjit e pa procedurë parlamentare, Shqipërisë i shkojnë ata në burg për korrupsion madhor, lidhje me organizatat kriminale dhe bashkëpunim me trafikantët e drogës! Nëse do t’i numëronim prapësitë e qeverisë së Edi Ramës, do të bëheshin miliona!
Por prapësia më e madhe lidhet me faktin se Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiq duan të implementojnë politika gjeopolitike në rajon, të cilat e destabilizojnë atë. Si iniciativa për ndryshimin e kufijve edhe Open Balkan janë dy aktet shkatërruese për paqen në Ballkanin Perëndimor! Vladimir Putin nuk ka projektuar ndonjë diversion tjetër më të dobishëm për destabilizimin e Europës në favor të Kremlinit! Edhe Sorosi po e kërkon me ngulm destabilizimin europian! Vjosa Osmani dhe Albin Kurti u janë kundërvënë fuqishëm këtyre projekteve anti-europiane! Ata janë liderët më të vendosur të rajonit për ta shpëtuar paqen dhe sigurinë e Ballkanit! Prandaj dhe janë më të preferuarit e Europës!
Diskursi i presidentes së Kosovës e konkurroi edhe nga stilistika, edhe nga mesazhet, edhe nga performanca fjalimin programatik të tipit hoxhist e stalinist të Edi Ramës! Kjo do të thotë se Kosova duhet të pushojë së menduari e së pohuari “Po, po! Por Edi Rama është i zgjuar”! Tashmë ju në Kosovë keni liderët tuaj më të zgjuar e ndërkohë më të aftë e më të përkushtuar se sa kryeministri i prapështive i Shqipërisë! Mbahuni pas lidershipit që keni dhe inkurajoni ata të bëjnë më të mirën për Kosovën, sepse kësisoj do ta garantoni ardhmërinë e vendit e të shtetit! Po u bëtë vasalë të batutave dhe djallëzive të Edi Ramës keni për ta humbur jo vetëm pavarësinë, por edhe lirinë!