Saliu se fut dot kullën në thes

0
1250
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Nga Andi Bushati

Falë aksionit simbolik të lëvizjes Bashkë dhe fjalimit, sa me pathos, po aq dhe me argumenta të Arlind Qorit, ngritja e një përbindshi betoni në vend të një parku në qendër të Tiranës ka marë trajtat e një teme kombëtare. Gjithçka ishte planifikuar të ndodhte ndryshe. Kulla më e re, me 64 kate, e propoganduar si më e larta në Ballkan, duhej të hidhte shtat pa zhurmë.

Ndaj dhe rrethimi i lulishtes dhe behja e eskavatorëve u bë në këtë pisk vape, kur kryeqyteti është më i zbrazur dhe mediat më të përgjumura.

Edi Rama dhe Erion Veliaj donin ti qëndronin besnik strategjisë mashtruese që i detyron të pozojnë me pemë në sfond, ndërsa qytetit po i’a marrin frymën me beton. Nga një anë nuk kanë faj. Ata janë të ndërgjegjshëm që po bëjnë një krim. Në tre dekada pas rënies së komunizmit hapsira e gjelbërimit në kryeqytet është reduktuar, nga 5.2 metër katrorë për banor, në 0.7. Brenda unazës së madhe, sipas një projekti të Co Plan, janë zhdukur plot gjysëm milionë metra katrorë sipërfaqe natyrore. Dhe në këtë pikë nuk kemi të bëjmë me një debat estetik, nëse janë më të bukura gratacielat apo parqet. Agjensia Evropiane e mjedisit ka arritur në përfundimin se falë ndotjes së ajrit, numri i vdekjeve këtu ka shkuar në shifër të barabartë me jetët që mori Covid-19.

Pikërisht për të fshehur këtë politikë vrastare, çdo kullë e re duhet të ngrihet pa zhurmë. Por, kur lëvizja Bashkë e theu me guxim këtë heshtje, propoganda e rilindjes kaloi në skenarin numër 2. Po të shihje mediat dhe rrjetet sociale ato shpërthyen si me buton në akuza të pafundme për korruptimin e opozitës reale, të drejtuar nga Sali Berisha. Titujt kryesorë dhe statuset e shumfishta akuzonin familjen Berisha dhe njerëzit pranë saj, se ishin aksionerë të këtij krimi të ri. Prandaj, vazhdonte skenari, PD po heshte për ndërtimin e “Malit të Tiranës’.

Nuk e di se sa të vërteta janë aludimet se i biri i Berishës është pjesë e këtij projekti, apo se biznesmenë që kanë përfituar në kohën e pushtetit të demokratëve janë të përfshirë aty. Por, as nuk do çuditesha, as nuk do befasohesha, që realisht të ishte kështu. Kanë dhënë aq shumë shembuj në të shkuarën, sa mund të paragjykohen lehtësisht edhe sot. Prandaj këto akuza, për një moment, po i mar të mirqëna.

Por edhe nëse e bën këtë pakt me veten, sërish logjika nuk gjen paqe pa shtruar një pyetje: vall kush është më tepër fajtor, Berisha, të cilit, sipas autoporlantëve të rilindjes i kanë blerë heshtjen, apo ata që ndjekin vazhdën e vendimeve kriminale në dëm të qytetit? Kjo dilemë të shpie edhe në pyetje të tjera: A e lehtëson mëkati i supozuar i Saliut pozitën e dhënësve të lejes, Rama dhe Veliaj? Fakti se paskërkan korruptuar edhe Berishën a i bënë ata më të ndershëm, apo më mëkatarë në sytë e qytetarëve? Nëse ata kanë arritur të mbyllin dhe gojën e pjesës më të madhe të opozitës, a nuk do qe kjo akuza më e rëndë për gratacielën e miratuar tetorin e shkuar përmes një konkursi ndërkombëtar?

Këto dilema nxjerrin në pah se deri në ç’pikë ka degraduar argumenti i propogandistëve të rilindjes. Mënyra e vetme për të mbrojtur shefin e tyre është të demostrojnë se për krimin e radhës ai ka arritur të korruptojë edhe kundërshtarët.

Në fakt, kjo nuk është një taktikë e re. Kur opozita drejtohej nga Basha, ata bënin të njëjtën gjë. Në vend të mereshin me koncesionin e traut mbi rrugën e kombit, e vinin theksin tek fakti se PD e shiti kauzën e kuksianëve; në vend të shihnin milionat e grabitura tek unaza e re, i mëshonin lidhjeve të Lulit me Victoria Invest. Fabula është e njëjtë: Rama ka të drejtë të abuzojë, për sa kohë është aq i zoti sa të blejë kundërshtarët.

Kjo lloj strategjie është absurde. T’a kritikonte opozitën për pasivitet apo shitje Arlind Qori, ose Fatos Lubonja, që e kanë shndërruar në kauzë të tyre mbrojtjen e qytetit nga grykësia e oligarkëve dhe kthimit të tij në një lavatriçe të pastrimit të parave, patjetër që mund të kishte kuptim. Por të mbash qëndrimin se Rama po bën gjënë e duhur, por fajin e ka Berisha që nuk e shan, kjo e shndërron të gjithën në haluçinante.

Pikërisht, një shkarje ledhi e këtyre përmasave tregon se kush është në anën e drejtë dhe kush në anën e gabuar të polemikës që vazhdon, asaj për betonizimin e Tiranës. Dhe në këtë pikë, një nga gjërat më pak të rëndësishme është roli që luan një opozitë e ndershme, apo e korruptuar qoftë. Sepse, para se të jetë partiak, ky konflikt është midis vendimarrësve dhe qytetarëve. Ai përball ata që grykësia i shtyn të na grabisin lulishtet, pemët, ajrin e për pasojë edhe vite nga jeta dhe shumicën që e pëson në heshtje këtë padrejtësi. Prandaj për debatin e hapur nga gropa e rokaqiellit më të ri të qendrës, ka shumë pak rëndësi morali i Berishës. Fakti nëse ai është i ndershëm apo i përlyer, nuk është prioritet i asaj që po ndodh. Në këtë rast palët ndahen ndryshe: ose kanë të drejtë Arlind Qori dhe aktivistët e tij që po mbrojnë një lulishte, ose ka të drejtë Rama dhe Veliaj që kanë firmosur një tjetër përbindësh betoni…

/Lapsi

Zjarr Tv Ad